BERLIN – Scholz përjashton ndërhyrjen e NATO-s në luftën në Ukrainë

by admin
Spread the love

BERLIN, 15 mars /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Olaf Scholz ka përjashtuar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në luftën në Ukrainë.

“Unë jam dakord me presidentin SHBA-së Joe Biden, me presidentin e Francës Emmanuel Macron dhe aleatët e tjerë se nuk duhet të ketë konflikt të armatosur midis NATO-s dhe Rusisë. Askush nuk mund ta dëshirojë këtë”, tha Scholz gjatë një samiti ekonomik të drejtuar nga gazeta gjermane “Die Welt”, në Berlin.

“Ne nuk do të krijojmë zona ndalim-fluturimi mbi Ukrainë. Kjo do të nënkuptonte një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë, me avionët luftarakë rusë”, tha Scholz.

“Aleanca perëndimore vazhdon të besojë në efektin e masave që synojnë kryesisht ekonominë ruse”, shtoi ai, sipas “Die Welt”.

“Së bashku me aleatët tanë në Evropë dhe SHBA, ne kemi përgatitur sanksione shumë të përpikta. Presidenti rus Vladimir Putin mund ta ketë planifikuar këtë luftë për një vit dhe të jetë përgatitur për sanksione ekonomike nga komuniteti ndërkombëtar, por ai e nënvlerësoi vendosmërinë tone. Sanksionet kanë një ndikim më të fortë nga sa e kishte imagjinuar Rusia”, tha Scholz.

Por masat do të kenë gjithashtu një ndikim mbi Gjermaninë dhe qytetarët e saj.

“E them këtë duke iu referuar pikëpamjeve për zhvillimin tonë ekonomik, për zinxhirët e furnizimit, për marrëdhëniet tregtare. Nuk është ende e mundur të llogaritet saktësisht kjo, kështu që është edhe më e rëndësishme që ne të mund të mbajmë masat tona në një afat të gjatë”, tha kancelari gjerman. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like