BERLIN – Scholz: Dialogu me Erdoganin jetik në momente të vështira

by admin
Spread the love

BERLIN, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Olaf Scholz nënvizoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, duke pasur parasysh pikëpamjet e tyre të ndryshme për konfliktin në Lindjen e Mesme.

“Zoti President, nuk është sekret që ne kemi pikëpamje shumë të ndryshme për konfliktin”, tha Scholz në një konferencë për shtyp përpara një darke me Erdoganin.

“Pikërisht kjo është arsyeja pse bisedimet tona janë të rëndësishme dhe kemi nevojë për dialog të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin, kryesisht në momente të vështira”, shtoi ai.

Erdogan e ka quajtur grupin islamik Hamas një “organizatë çlirimtare” dhe ka akuzuar Izraelin për “gjenocid” në Rripin e Gazës duke vënë në pikëpyetje të drejtën e Izraelit për ekzistencë.

Gjermania ka nënvizuar mbështetjen e saj të palëkundur për Izraelin dhe ka mbështetur ofensivën ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gaza.

“E drejta e Izraelit për të ekzistuar është e pakundërshtueshme për ne”, tha Scholz.

“Nuk ka vend për antisemitizëm në vendin tonë, pavarësisht nëse është i motivuar politikisht apo fetar, nëse vjen nga e djathta apo e majta, nëse është rritur këtu me shekuj apo vjen nga jashtë”, tha ai.

Scholz tha gjithashtu se ai kundërshton këdo që dëshiron t’u mohojë myslimanëve vendin e tyre në Gjermani.

Ai tha se vuajtjet e popullatës civile palestineze në Gaza ishin dëshpëruese dhe se do të bisedonte me Erdoganin se si mund të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm në Lindjen e Mesme. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like