BERLIN – Habeck: Gjermania duhet të përgatitet për t’u mbrojtur nga sulmet ushtarake

by admin
Spread the love

BERLIN, 30 mars /ATSH-DPA/ – Zëvendëskancelari i Gjermanisë Robert Habeck tha se nuk sheh asnjë shpresë për një fund të shpejtë dhe paqësor të luftës ruse kundër Ukrainës.

“Ne dëshirojmë paqen. Por përgjigja e sinqertë dhe e hidhur është: ndoshta nuk do të ketë një fund të shpejtë dhe të mirë, edhe nëse dëshirojmë të kundertën”, tha ai në një video të publikuar në  X, dikur Twitter.

“Ne duhet të përshtatemi me situatën e kërcënimit. Çdo gjë tjetër do të ishte naïve. Prandaj, Gjermania duhet të investojë më shumë për sigurinë e saj”, tha ai.

“Ne, Gjermania, Bashkimi Evropian, duhet të mbrohemi kudo, duke përfshirë edhe sulmet ushtarake”, tha Habeck.

Lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës është lufta më e përgjakshme që Evropa ka parë që nga viti 1945.

“Çdo ditë është një ditë vdekjeje dhe nuk ka fund. Përkundrazi, Rusia e Putinit po kalon plotësisht në një ekonomi lufte dhe po rrit masivisht prodhimin e armëve”, tha Habeck, i cili është gjithashtu ministër i Ekonomisë.

“Unë fola në favor të furnizimit me armë në Ukrainë dhe jam ende në favor që ne të vazhdojmë t’i mbështesim ato gjithnjë e me më shumë pajisje ushtarake”, tha Habeck.

“Unë gjithashtu e kuptoj shumë mirë se njerëzit kanë frikë nga një përshkallëzim i luftës. Unë jam gjithashtu i shqetësuar. Pyetja është se çfarë qëndrimi dhe çfarë veprimi është i nevojshëm për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi. Qeveria do të duhet të merret me këtë në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.

Habeck foli kundër “ngrirjes së luftës”.

“Flitet për ngrirjen e luftës për shkak të numrit të madh të viktimave, ky qëndrim injoron faktin se vetëm ukrainasit mund të vendosin se çfarë çmimi janë të gatshëm të paguajnë dhe me çfarë kushtesh duan për të arritur një armëpushim ose për t’i dhënë fund luftës”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SPD) Rolf Mützenich ka diskutuar një “ngrirje” të konfliktit – me fjalë të tjera, një armëpushim për të mundësuar një zgjidhje të negociuar. Ai u kritikua shumë për këtë.

Habeck tha se Putini donte të shkatërronte bashkimin dhe unitetin e Evropës.

“Nëse Putini është i suksesshëm me luftën e tij në Ukrainë, ai do të vazhdojë”, tha Habeck.

“Kjo është arsyeja pse është gjithashtu e rëndësishme për sigurinë në Gjermani dhe paqen në Evropë që Ukraina të mbrohet me sukses dhe që Gjermania të ndihmojë”, shtoi ai. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like