BERLIN – Baerbockut i kërkohet dhënia fund e konflikteve në Izrael dhe Ukrainë

by admin
Spread the love

BERLIN, 7 nëntor /ATSH-DPA/ – Eksperti gjerman i politikës së jashtme, Michael Müller i ka bërë thirrje ministres së Jashtme Annalena Baerbock që të rrisë përpjekjet e saj diplomatike për t’i dhënë fund luftërave në Izrael dhe Ukrainë.

“Shpresoj që ministrja e Jashtme do të intensifikojë kërkimin e perspektivave diplomatike së bashku me partnerët dhe aleatët tanë në bisedimet e ardhshme të G7”, theksoi Müller, i cili tani është anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut.

“Gjermania mund të luajë një rol të rëndësishëm ndërmjetësues me partnerët ndërkombëtarë si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Ukrainë”, shtoi Müller.

“Rreziku i një lufte në Lindjen e Mesme dhe një përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit, veçanërisht nga Hezbollahu në Liban, është më i lartë se sa ka qenë për një kohë të gjatë”, sipas Müller.

“Në të njëjtën kohë, lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon me pasoja të tmerrshme për banorët në Ukrainë”, tha politikani i SPD-së.

Ministrat e Jashtëm të G7-ës do të takohen sot për të diskutuar situatën në Lindjen e Mesme.

Në një darkë pune në kryeqytetin japonez Tokio, në qendër të vëmendjes do të jetë lufta në Izrael pas sulmeve të militantëve të lëvizjes islamike Hamas dhe situata humanitare në Rripin e Gazës.

Ne do të diskutojmë mënyrat se si të bashkojmë forcat tani për të arritur pauza humanitare për të lehtësuar gjendjen e njerëzve në Gaza’, tha Baerbock përpara se të nisej në Japoni.

Lufta ruse me Ukrainën do të diskutohet gjithashtu në takimet e punës të mërkurën. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like