Berisha: Më lëndoi reagimi i Pendarovskit për Adem Demaçin

by admin
Spread the love

Sali Berisha ka reaguar pas debateve dhe kritikave ndaj vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut. Në një postim në Facebook, Berisha u shpreh i lënduar ndaj deklaratave të presidentit maqedonas Stevo Pendarovski për emërtimin e një rruge në Çair me emrin Adem Demaçi. Përmes një shkrimi në Facebook, Pendarovski e cilësoi tubimin në Tetovë si “një ikonografi provokuese nacionaliste me ide shoviniste që ndez urrejtjen etnike”. Sipas tij në këtë mënyrë “sulmohen parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Maqedonisë si një shtet shumëetnik” dhe kërkoi ndëshkimin e organizatorëve të tubimeve në Tetovë dhe në Çair.

Sipas Berishës reagimi i Pendarovskit është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit tonë.
“Ajo që më lëndoi në këtë histori është reagimi i kryetarit të shtetit të Maqedonisë së Veriut ndaj emërimit të një rruge në Çaire me emrin e Adem Demaçit, Mandelës të Europës, tribunit të lirisë, lauratit të Çmimit Saharov të Parlamentit Europian. Adem Demaçi me qëndresën e tij epike 28 vjeçare në burgjet dhe kampet e Jugosllavisë komuniste, titiste është një tribun i vërtetë lirie jo vetëm për shqiptarët, por dhe për maqedonasit, malazezët, kroatët, serbët, boshnjakët e slloven dhe të gjithë qytetarët liridashës të të gjitha kombeve që përjetuan shtypjen e egër të regjimeve totalitare komuniste. Në këtë kuadër reagimi negativ i Presidentit Pendarovski ndaj këtij akti që i bënë nder Shkupit, Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonit mendoj se është i nxituar dhe lëndues për çdo qytetar liridashës të rajonit tonë dhe akoma më shumë për çdo shqiptar që e konsideron Adem Demaçin një hero kombëtar, një legjendë të qëndresës për liri dhe Maqedoninë e Veriut një vend mik të bazuar në një shoqëri multietnike në të cilin heronjtë e lirisë, simbolet e ndritura të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar pavarësisht nga përkatësia etnike, nuk mund të ngjallin gjë tjetër përveç se respekt dhe admirim”.

Ai akuzoi edhe presidentin serb si albanofob dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë ndërhyrjet e tij që nxisin tensionet në rajon.

“Vuçiç e quajti vizitën e Kurtit si skandalin e skandaleve duke ndërhyrë kështu për të dëmtuar marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje e të pavarura. Me qëndrimin e tij paternalist ndaj vendit fqinj të pavarur e sovran, ai dëshmon se kërkon të bëjë rolin e xhandarit të rajonit nga pozita ultranacionaliste serbomadhe. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë ndërhyrje të tilla paternaliste të presidentit të serbomadhisë që kanë si qëllim rritjen e tensioneve dhe keqësimin e marrëdhënieve midis fqinjëve në rajon”.

You may also like