BEOGRAD – Tegeltija: Të ecim drejt axhendës së gjelbër të BE-së

by admin
Spread the love

BEOGRAD, 17 nëntor /ATSH/ – Kryeministri boshnjak, Zoran Tegeltija deklaroi në konferencën kushtuar energjisë në Beograd se Bosnje-Hercegovina prodhon energji elektrike më shumë se sa duhet për tregun boshnjak.

”Natyrisht, sasia që eksportojmë kryesisht varet nga kushtet hidrologjike në vendin tonë. Cilat janë kufizimet e problemet tona më të mëdha? Aktualisht lidhen me faktin që ne kemi objekte të ndërtuara shumë kohë më parë, përveç njërit që është ndërtuar pak vite më parë. Të tjerët janë ndërtuar prej shumë kohësh dhe kërkojnë shumë investime dhe shumë modernizim”, deklaroi ai.

”Në Bosnje-Hercegovinë rreth 60% e energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet dhe duke pasur parasysh idetë e tanishme, dimë që është miratuar agjenda e gjelbër e BE-së dhe kësisoj duhet ta ndryshojmë dhe ne pozicionin tonë dhe të ecim në këtë drejtim”, shtoi ai.

”Jemi të vetëdijshëm për faktin se na duhet t’i zgjidhim këto probleme dhe na duhet bashkëpunim rajonal midis vendeve tona për t’i zgjidhur ato. Kemi nisur një sërë investimesh së bashku me Serbinë. Një sipërmarrje të përbashkët për një hidrocentral. Kemi aktualisht marrëveshje paraprake. Procesi ende nuk ka nisur në Bosnje-Hercegovinë për shkak të problemeve, megjithatë mesazhi për investime të përbashkëta është shumë i mirë dhe dua të them që ata që duan të bllokojnë procesin, dua të them se askujt nuk i sjell asgjë të mirë bllokimi i proceseve”, theksoi ai.

”Kapacitetet tona aktuale prodhuese në Bosnje duhen modernizuar e rritur, por duhet natyrisht të mbeten dhe në pronësi shtetërore. Është e vetmja mënyrë me të cilën do të garantojmë sigurinë për të pasur sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike për të përmbushur të gjitha nevojat e tregut Bosnje-Hercegovinës”, tha Tegeltija.

”Procesi i tranzicionit kërkon kohë, gjithashtu para. Kjo është arsyeja pse ne i ftojmë të gjithë investuesit e pranueshëm këtu sot dhe ata që nuk janë të pranishëm me ne, për t’i thënë që tregu i Bosnjes është i mirë për të ndërtuar kapacitete të reja të burimeve të ripërtëritshme”, përfundoi ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like