BE të dalë me një deklaratë të dytë, të dënojë shpalljen e zisë kombëtare në Serbi – Shqip

by admin
Spread the love

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur edhe pyetjes se pse Shqipëria për herë të parë nuk është linjëzuar me deklaratën e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Kreu i qeverisë tha se deklarata në vetvete nuk ka asnjë problem, por nuk i përgjigjet situatës së sotme.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur në veriun e Kosovës me vrasjen e efektivit Afrim Bunjaku dhe shpalljen më pas të ditës së zisë kombëtare në Serbi, janë veprime të pajustifikueshme, të papranueshme dhe duhen dënuar. Për këtë arsye, tha se komuniteti euroatlantik duhet të verë alarmin demokratik për t’i kthyer mesazhin e duhur kësaj sjelljeje të Serbisë. Nëse ndodh kjo ai u shpreh se Shqipëria do të linjëzohet edhe me deklaratën e parë të BE-së.

“Qëndrimin tonë për herë të parë të paktën në 10 vitet e fundit në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së, ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e BE-së është një deklaratë e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditët e fundit. E kemi të pamundur të linjëzohemi me BE-në pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i policisë së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd. Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme, madje është e dënueshme, sepse është jo-europiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për gjithë rajonin dhe për Europën. Kemi kërkuar që BE-ja dhe i gjithë komuniteti euroatlantik të verë alarmin demokratik në nivelin më të lartë dhe të përdorë të gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e ditës së zisë kombëtare në Beograd. Deri në momentin, kur nuk do të ketë një deklaratë të dytë të BE-së për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë. Nëse deklarata e dytë bën këtë që po them, dhe nëse ajo e bën këtë që kërkojmë nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë për të cilën kemi punë me Serbinë, ne nuk heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të BE-së dhe komunitetit euro-atlantik për Kosovën. Në këtë pikë linja jonë është 100% e BE-së dhe komunitetit euroatlantik. E përsëris ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që ka pasuar në Beograd me shpalljen e ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”, tha Rama.

Më herët, Shqipëria nuk mbështeti deklaratën e BE për dialogun për Kosovën dhe Serbinë. Sipas Tiranës zyrtare, qëndrimet e Borrell nuk janë të përshtatshme pasi bëjnë përgjegjëse Kosovën dhe nuk e reflektojnë ngjarjen e fundit në veri, ku mbeti i vrarë një oficer policie./tvklan.al

You may also like