BE-ja dënon ashpër djegien e veturave me targa RKS në veri

by admin
Spread the love

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka dënuar ashpër djegien e pesë veturave me targa RKS, duke thënë se ky akt është i mjerueshëm dhe i papranueshëm.

“Dënojmë ashpër djegien e automjeteve të ri-regjistruara së fundmi në targa të Kosovës në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private, që ka ndodhur gjatë 2 ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm, i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë aktorët përkatës”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

“I bëj thirrje agjencive të zbatimit të ligjit që të identifikojnë dhe ndjekin me shpejtësi përgjegjësit”, shtoi ai.

Mbrëmë pas mesnatës janë djegur tri vetura me targa RKS, të cilat i përkisnin qytetarëve të nacionalitetit serb.

Njëra veturë që u dogj ndodhej në rrugën “Kral Milutin” në Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar” në Mitrovicë të Veriut, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”, po ashtu në Mitrovicë të Veriut.

Djegia e tri veturave vjen pas djegies së dy të tjerave, po ashtu me targa RKS, dje në orët e para të mëngjesit.

Deri më tani nuk ka informacione se kush e ka shkaktuar zjarrevënien. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

You may also like