BE, 1 miliard euro Ballkanit për energjinë, Von der Leyen nis turin në rajon

by admin
Spread the love

Bashkimi Europian ka hartuar një plan masash mbështetëse për Ballkanin Perëndimor me qëllimin që rajoni t’i bëjë ballë krizës energjetike.

Planin e shoqëruar nga një fond prej 1 miliard eurosh, kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen ka ndërmend t’ua paraqesë vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor, e për këtë arsye nis këtë javë një tur disa ditor,  ndalesa e parë e të cilit do të jetë Shkupi.

Shefja e KE-së pritet të vizitojë kryeqytetin maqedonas të mërkurën; të enjten do të jetë në Prishtinë, ndërsa po atë ditë kryekomisionerja duhet të vizitojë dhe Tiranën.

Turi vijon të premten në Bosnjë e Mal të Zi, dhe mbyllet ditën e shtunë me  Serbinë. Energjia dhe ndryshimet klimatike, së bashku me paqen e sigurinë, situatën ekonomike dhe emigracionin ishin tema qendrore të takimit të parë të Bashkësisë Politike Europiane, të mbajtur në 6 tetor në Pragë. Në samitin e fundit në Bruksel, sakaq vendet e BE-së ranë dakord për të “hartuar masat për kufizimin e rritjes së çmimeve të energjisë për familjet dhe kompanitë”. Sesi do të duket megjithatë konkretisht zbatimi i kësaj marrëveshjeje nuk është ende e qartë në shumë aspekte.

Sipas kancelarit gjerman Olaf Scholz, shtetet anëtare u pajtuan me blerjet e përbashkëta të gazit, të cilat Komisioni i BE-së propozon t’i bëjë në një masë të vogël të detyrueshme.  Të martën, në një takim në Luksemburg, ministrat e energjisë së bllokut pritet të shqyrtojnë mënyrat sesi mund të parandalohen luhatjet e çmimeve të shkaktuara nga spekulimet në tregun e gazit.

Von der Leyn sqaroi se do të prezantohet një mekanizëm korrigjues i tregut për të kufizuar rritjen e tepërt të çmimit të gazit, e tani, do të duhet te përpunohen mekanizmat për zbatimin.


Top Channel

You may also like