Batuta në Bruksel mes Borrell dhe Kurtit: Të zgjidhim krizën në veri

by admin
Spread the love

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka takuar veçmas kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me misionin kryesor: uljen e tensioneve mes dy shteteve.

“Duhen ide konstruktive dhe gatishmëri për kompromis për të adresuar krizën e vazhdueshme në veri të Kosovës”, njofton Borrell në profilin e tij zyrtar në Twitter.

Kryediplomati europian shtoi se palët pritet që të ulin tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa asnjë parakusht. Nuk dihet ende saktësisht ecuria e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për të qetësuar situatën në terren, ndërsa Borrell pritet që të mbajë një konferencë për shtyp lidhur me rezultatin.

Në nisje të takimeve, zyrtari i BE-së duket mjaft optimist ku nuk munguan as buzëqeshjet dhe batutat me të dy liderët.

“Politika duhet të ketë vlera”, është fraza që dëgjohet t’i thotë kryeministri Kurti, ndërmjetësuesit Borrell.

“Ja ku jemi sërish”, dëgjohet të thotë Borrel, përballë Kurtit në tryezë, ku i pranishëm është edhe i emëruari i posaçëm i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës shkoi në Bruksel me synimin e qartë që të flasë për lirimin e 3 policëve të rrëmbyer nga Serbia.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, gjatë një prononcimi për mediat nuk e saktësoi nëse do të ketë ose jo një takim trepalësh, por theksoi se diskutimet do të fokusohen në shtensionimin e situatës në veriun e vendit, në mënyrë që palët ti rikthehen zbatimit te marrëveshjes drejt normalizimit.

You may also like