Bashkë kundër ndikimit rus! – Shqip

by admin
Spread the love

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë mbështetjen e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, gjatë një vizite të këtij të fundit në Prishtinë.

Presidenti malazez, “hasmi” i politikës së Beogradit, u prit nga Osmani me nderimet më të larta shtetërore. Në një konferencë për media pas takimit mes tyre, ata theksuan se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe ndajnë vlera dhe aspirata të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Presidentja e Kosovës tha se dy vendet kanë bashkëpunim fantastik, veçanërisht në fushën e turizmit. Ajo kujtoi se gjatë luftës së vitit 1999, Mali i Zi hapi kufijtë dhe zemrat e tij për refugjatët shqiptarë.

“Sot, natyrisht, kam kërkuar mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera, dhe siç e dini, është e një rëndësie të veçantë në situatën aktuale të sigurisë në Evropë, veçanërisht për Kosovën”, tha Osmani.

Osmani vlerësoi se Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtete kyçe në parandalimin e ndikimit të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjukanoviç tha se Mali i Zi, i cili e njohu Kosovën në tetor 2008 si anëtare të NATO-s në rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Evropian, mbështet aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave evropiane, siç është Këshilli i Evropës.

Ai theksoi se lufta në Ukrainë ka prekur jo vetëm lirinë dhe pavarësinë e atij vendi, por të gjitha vlerat evropiane. Ai vlerësoi se ka ardhur koha që Evropa të përsërisë mesazhin e saj fondamenta; se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE.

“Ne besojmë se është koha për t’u dhënë fund dilemave kur bëhet fjalë për politikën e zgjerimit dhe bashkimit të të gjithë Evropës. Ne duhet të ndalojmë mesazhet disonante që vijnë nga adresa të ndryshme në Evropë. Ka ardhur koha që Evropa të përsërisë mesazhin e saj fondamental se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një vend në BE,” tha Gjukanoviç.

Ai vlerësoi se anëtarësimi në BE dhe NATO nuk është vetëm në interes të rajonit por edhe në interes të Bashkimit Evropian, sepse, siç tha, do të ishte investim i BE-së për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Gjukanoviç theksoi se është shumë e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, sepse nuk është vetëm çështje e Kosovës dhe Serbisë, por një çështje që ndikon në stabilitetin e gjithë rajonit.

“Ne mbështesim dialogun politik ekzistues midis Prishtinës dhe Beogradit dhe besojmë se vetëm dialogu politik mund të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme që ofron një mundësi për Kosovën të zhvillohet si një demokraci,” argumentoi kreu i shtetit malazez.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Osmani dhe Gjukanoviç u pajtuan se do ta ruajnë dhe forcojnë miqësinë në çdo kusht dhe se të gjitha problemet, përfshirë edhe atë për caktimin e kufirit, do të zgjidhen duke biseduar në respekt të ndërsjelltë. Ata theksuan se nuk do të lejojnë që Kosova dhe Mali i Zi të jenë burim destabilizimi në rajon.

Të mërkurën, kryetari i Prishtinës Perparim Rama i dhuroi Gjukanoviçit “Çelësin e qytetit”, simbol i miqve të Prishtinës. /tesheshi.com/

 

You may also like