Bardh Jashari, djaloshi tetovar që dëshiron të përfaqësoje me dinjitet shqiptarët në Bernë

by admin
Spread the love

Partia e Liberalëve të Gjelbër GLP seksioni Mittelland-Veri në Zvicër ekziston që nga viti 2011 dhe aktualisht ka rreth 150 anëtarë. Seksioni kombinon seksionet lokale të GLP të Ostermundigenit, Worbit, Grauholzit (Moosseedorf, Urtenen-Schönbühl, Jegenstorf, Fraubrunnen), Wohlenit dhe Zollikofenit.

GLP është labori i hapur politik i Liberalëve të Gjelbër. Partia zgjon frymën krijuese në politikë dhe krijon një hapësirë ​​krijuese për zgjidhje inovative. Ajo ka një qëndrim liberal, progresiv dhe optimist. Dhe janë të hapur për këdo që dëshiron të hapë terren të ri në politikë.
Në mesin e kandidatëve që do të kandidojnë për zgjedhjet e Këshillit të Madh të 27 marsit 2022, gjendet edhe djaloshi shqiptar me prejardhje nga rrethina e Tetovës, Bardh Jashari. Ai është i lindur me 17.04.2001 në Bernë të Zvicrës. Që nga kopshti deri në klasën e tetë, Bardhi ka ndjekur mësimin në Komunën e Ostermundigenit. Më pas, për 4 vite ka vazhduar edukimin në gjimnazin Kirchenfeld të Bernës me lëndën kryesore fizikë dhe matematikë. Nga viti 2019, Bardhi studion arkitekturë në ETH Zürich, ku së shpejti pritet të përfundojë Bachelorin.

“Që i vogël jam marrë me aktivitete të ndryshme kulturore, sportive dhe më pas politike. Kam ndjek mësimin plotësues të gjuhës shqipe që¨nga kopshti deri në klasën e nëntë (për 10 vite rradhazi), po ashtu dhe kam qenë pjesë e një shoqate kulturore shqiptare për 8 vite. Gjithashtu në komunë kam qenë aktiv në ekipin e futbollit të FC Ostermundigenit. Tani jam anëtar i shoqatës së studentëve në Cyrih”, thotë Bardhi enkas për portalin Shtegu.

Interesimi për politikë i ka lindur që herët. Fillimisht kishte interesim të madh për historinë dhe më pas politikën shqiptare. Me moshë filloi të kuptojë fytyrat e ndryshme dhe komplikimet historike të politikës me shembull të politikës shqiptare.

“Që nga fundi i gjimnazit/fillimi i studimeve, kam filluar të mirrem aktivisht me politikë. Atë shqiptare, dhe më vonë poashtu atë vendore zvicerane. Pjesëmarrja në demonstrata të ndryshme, dhe organizime të vogla protestuese vetë e tregojnë këtë. Sipas mendimit tim, unë si student i kam borxh shoqërisë të jemë aktiv në politikë. Studentët gjithmonë kanë prodhuar frymë të re, dhe kanë krijuar bazë të fortë si opozitë kundër padrejtësisë”, vazhdon më tej Bardhi.

Në pyetjen se si filloi interesimi i tij për kandidim, Bardh Jashari pohon: “Interesimi për kandidim si anëtar i Këshillit të Bernës filloi kur një shok nga fëmijëria më propozoi t`i bashkëngjitem në partinë e re “të gjelbrit liberalë”. Pas një kohe e pranova ofertën, dhe fillova me kandidimin. Kandidimi në emër të një partie të tillë, të gjelbrit-liberalë, mua m`u duk e pranueshme, nga që përputhet me shumë mendime politike që kam, por normalisht jo të gjitha. Ideja ështe kombinimi i një ambienti dhe stili jetese ekologjik, i cili përputhet me ekonominë shtetërore. Gjithë kjo bazohet në një politikë liberale në të gjitha aspektet.

Kandidatura: këshilli kantonal të Bernit. Lista 10, Nr 7, Region Bern Mittelland Nord.

“Politika bashkëkohore ende ka shumë aspekte që janë për t`i përmirësuar. Në Zvicër, por dhe te ne në trojet shqipfolëse – duhet te zgjohemi”, përundon Bardh Jashari./Shtegu.com

You may also like