Ballkani barazon me Gjilanin, Malisheva mposht Niklin

by admin
Spread the love

Kampioni në fuqi, Ballkani ka bërë edhe një hap tjetër fals në mbrojtjen e titullit të kampionit.

Pas humbjes nga Drita në mesjavë, Ballkani të shtunën barazoi me skuadrën e Gjilanit.

Ndeshja e luajtur në Suharekë në kuadër të xhiros së 22-t të Superligës së Kosovës në futboll.

Me këtë barazim, Ballkani mbetet lider në tabelë me 45 pikë, dy më shumë se Llapi që është i dyti dhe ka një ndeshje më pak të luajtur. Llapi luan të dielën në shtëpi me Prishtinën dhe nëse shënon fitore, atëherë do të ngjitet në pozitën e parë.

Përkundër dominimit ndaj Gjilani, skuadra e Ballkanit nuk arriti të shënoj më shumë se një gol. Ishte kapiteni Edvin Kuç, ai që shënoi në minutën e 19-të për 1:0.

Megjithatë, Gjilani barazoi rezultatin nga penalltia, të cilën e shkaktoi portieri Damir Lulanoviq në minutën e 45-të. Nga pika e bardhë, i saktë ishte Elvedin Heriq që barazoi shifrat dhe vulosi rezultatin final të takimit.

Gjilani, aktualisht ka 22 pikë dhe zë vendin e tetë në tabelë. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të kësaj xhiroje, Malisheva ka fituar 2:1 me rikthim të rezultatit kundër Feronikelit ’74.

Robert Rrahmani e kaloi Niklin në epërsi 1:0 në minutën e 60-të, përpara se Malisheva të kundërpërgjigjej me dy gola. Fillimisht, Drilon Hazrollaj barazoi në 1:1 në minutën e 78-të nga penalltia. I njëjti futbollist shënoi edhe golin e fitores në minutën e 89-të pas asistimit të Altin Aliut.

Me këtë fitore, Malisheva forcohet në pozitën e katërt me 38 pikë të mbledhura, kurse Nikli mbetet i shtati me 23 pikë dhe pa fitore në stinorin pranveror.

You may also like