AXHENDAT / Çfarë bën çdo ditë njeriu mesatar?

by admin
Spread the love

Nga Ross Pomeroy

Në planetin tonë jetojnë mbi 8 miliardë njerëz, dhe secili i përjeton paksa ndryshe nga tjetri 24 orët e ditës-natës. Pra janë 190 miliardë orë unike të jetës njerëzore, të jetuara gjatë çdo rrotullimi të Tokës rreth vetes.

Ndërsa secili prej nesh ka një koncept të mirë mbi mënyrën se si e kalon kohën, veprimet e njerëzve të tjerë – nga fqinjët tek njerëzit që jetojnë në vendet e largëta – mund të duken shumë misterioze. A shohin ata më shumë TV? Punojnë më shumë? Përdorin me shpesh telefonat e tyre inteligjentë? Gatuajnë më shpesh? Kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre?

9 orë gjumë, 2.6 orë punë

Në një analizë të paprecedentë të botuar së fundmi në “Proceedings of the National Academy of Sciences”, studiuesit nga Universiteti Mekgill u përpoqën t’i japin përgjigje kësaj pyetje. Ata grumbulluan të dhëna nga 145 vende të mbledhura midis viteve 2000-2019.

Të dhënat përfshinin anketa të përdorimit të kohës, statistikat kombëtare të punësimit dhe kohës së punës, dhe të dhënat ndërkombëtare të arsimimit dhe punësimit të të rinjve. Kjo përpjekje herkuliane zbuloi atë që studiuesit e quajtën “dita globale e njeriut”, pra një vlerësim i plotë i asaj që bëjnë njerëzit mesatarisht me kalimin e kohës dhe në të gjithë popullsinë.

Atëherë, si është dita e zakonshme globale e njeriut?

Para së gjithash, njeriu mesatar shpenzon rreth 9.1 orë duke fjetur ose pushuar. Kjo mund të duket shumë për të rriturit e privuar nga gjumi. Por mos harroni se këtu përfshihen edhe të dhënat nga fëmijët e vegjël si të porsalindurit, të cilët flenë shumë orë. Kur është zgjuar, një person mesatar shpenzon afërsisht 1/3e ditës së tij në aktivitete pasive, ndërvepruese dhe sociale.

Nga këto afërsisht 4.6 orë përfshijnë leximin, shikimin e televizorit, bërjen e veprave të artit, lojërat, shkuarjen në takime me miqtë ose familjen apo thjesht të mos bërit asgjë. Ngrënia dhe përgatitja e ushqimit llogaritet në 2.5 orë të tjera. Higjiena, duke përfshirë pastrimin, larjen dhe veshjen, zgjat rreth 1.1 orë.

Pastrimi dhe mirëmbajtja e hapësirave ku banojmë na kushton 0.8 orë në ditë. Megjithëse punësimi mund të marrë shumë kohë për individët që punojnë, kur analizohet nga thjerrëza e ditës globale njerëzore, edhe ai duket si një copëz kohe, vetëm 2.6 orë. Edhe arsimimi nuk zë shumë kohë, vetëm  1.1 orë.

Çuditërisht, përpunimi i mallrave, ndërtimi i shtëpive dhe infrastrukturës, minierat dhe grumbullimi i materialeve të nevojshme kërkojnë vetëm 0.8 orë të ditës mesatare njerëzore. Mendoni pak:shtëpitë tona, të gjitha gjërat me të cilat e rrethojmë veten dhe qytetet dhe qytezat ku jetojmë, kërkojnë vetëm 3 për qind të kohës sonë kolektive për t’i ndërtuar.

Ndërkohë studiuesit ishin kuriozë se si përdorimi mesatar i kohës njerëzore ndryshon sipas pasurisë. Ata zbuluan disa pabarazi të dukshme. Banorët e vendeve me të ardhura më të larta, shpenzojnë rreth 1.5 orë më shumë çdo ditë sesa banorët e vendeve me të ardhura më të ulëta për përvoja si ngrënia jashtë shtëpisë, rekreacioni fizik dhe aktivitetet e përgjithshme të kohës së lirë.

Përveç kësaj, njerëzit në vendet më të pasura, shpenzojnë mesatarisht vetëm 5 minuta në ditë duke kultivuar dhe korrur dhe vjelë ushqimet, ndërsa njerëzit në vendet më të varfra shpenzojnë më shumë se 1 orë për këtë gjë. Megjithatë studiuesit zbuluan edhe shumë të përbashkëta. Në të gjithë botën, ne të gjithë priremi të kalojmë afërsisht të njëjtën kohë duke ngrënë, përgatitur ushqimin, transportimin e vetes dhe pastrimin he larjen.

Projekti “Human Chronome”

Analiza e gjerë përfaqëson të dhënat e para të publikuara të projektit Human Chronome, një përpjekje për të krijuar një bazë të dhënash të aktiviteteve njerëzore globale. Duke mbledhur kronomën njerëzore, studiuesit thonë se ne mund ta krahasojmë veten me qytetërimet e dikurshme.

Më e rëndësishmja:mund të shohim nga një perspektivë empirike e nivelit të lartë, se çfarë po bëjnë speciet tona në planet, dhe të marrim vendime më të informuara për ri-shpërndarjen e kohës sonë kolektive për të ndryshuar për mirë botën dhe shoqërinë.

“Të kuptuarit se si funksionon sistemi global njerëzor është thelbësor nëse duam që të lundrojmë në mënyrë të qëndrueshme kufijtë planetarë, t’i përshtatemi ndryshimeve të shpejta teknologjike si Inteligjenca Artificiale, dhe të arrijmë qëllimet e zhvillimit global. Thuhet se koha është monedha e jetës – dhe në një shoqëri të lidhur globalisht, është thelbësore të kemi një kuptim të plotë global se si shpenzohet ajo monedhë”- shkruajnë studiuesit. / “Big Think” – Bota.al

You may also like