Atiq: Ditë të mira po vijnë për Mitrovicën e Veriut

by admin
Spread the love

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq, u shpreh i bindur sot se ditë të mira po vijnë për këtë komunë. Pasi votoi në qendrën e votimit në “Lagjen e Boshnjakëve”, ai tha se ka përfunduar koha kur Mitrovica është përmendur për të keq.

Atiq ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke zgjedhur udhëheqjen e re të Mitrovicës së Veriut.

“Unë sapo votova, sapo e kreva obligimin qytetar. Shpreh mundësinë nëpërmjet televizioneve tuaja t’i bëj ftesë të gjithë qytetarëve të komunës veriore të Mitrovicës që të votojnë në numër sa më të madh ta përkrahin kandidatin, të cilën ata mendojnë që është më i miri”, tha Atiq.

Atiq u shpreh i bindur se ditë të mira po vijnë për Mitrovicën e Veriut.

“Unë jam më se i bindur që për Mitrovicën po vijnë ditë të mira. Kanë përfunduar ditët kur komuna veriore e Mitrovicës u përmend vetëm në konotacion të keq edhe ka pasur vetëm lajme të këqija. Jam i sigurt që ditë të mira për Mitrovicën më në fund po vijnë”, shtoi ai.

Në Mitrovicën e Veriut garojnë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare, Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje. Të drejtë vote në katër komunat veriore kanë mbi 45 mijë qytetarë./KP

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

You may also like