Aleanca për Shqiptarët ka bërë të ditur se janë të angazhuar për reformë të sistemit zgjedhor, për institucione më përfaqësuese dhe më të afërta me qytetarin.
Ja komunikata e plotë e ASH-së:
“Vlerësojmë se sistemi aktual zgjedhor nuk respekton parimin universal të barazisë së votës dhe nuk përfaqëson drejtë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhje, për shkak të problemeve konstante me pabarazinë e votuesve mes njësive zgjedhore.
Në kuadër të reformave të sistemit zgjedhor, do të angazhohemi për arritjen e tri kërkesave thelbësore:
1. Ndarjen e shtetit në 8 njësi zgjedhore në përputhje me kufijtë e rajoneve, secila me numër të ndryshueshëm të deputetëve varësisht nga numri i votuesve.
2. Organizimin e zgjedhjeve me lista të hapura.
3. Garantimi dhe zgjerimi i së drejtës së votës të mërgimtarëve, të cilët duhet të votojnë për listat që garojnë në njësinë zgjedhore në të cilën ata kanë vendbanimin e tyre të përhershëm në vend”, thuhet në kumtesën e ASH-së.