ARKITEKTURË – Lesley Lokko gruaja e parë afrikane që nderohet me Medaljen e Artë Mbretërore

by admin
Spread the love

TIRANË, 18 janar /ATSH/ – Lesley Lokko është bërë gruaja e parë afrikane që i është dhënë Medalja e Artë Mbretërore për Arkitekturën, për punën e saj në “demokratizimin” e industrisë, sipas BBC.

Medalja jepet nga Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA) dhe miratohet nga monarku çdo vit.

Ganezo-skocezja Lokko u bë gjithashtu një OBE, oficere e Urdhrit të Perandorisë Britanike nga mbreti Charles, i cili dihet se ka një interes të madh për arkitekturën.

RIBA vlerësoi punën e Lokko e fokusuar në Afrikë dhe në të ashtuquajturin Jugu Global.

60-vjeçarja njihet për punën e saj si mësuese e arkitekturës dhe akademike në universitete dhe institucione të tjera anembanë botës.

Ajo ka mbështetur njerëzit me ngjyrë dhe prejardhje të tjera në arkitekturë gjatë dy dekadave të fundit.

Lokko tha se nderimi me Medaljen e Artë Mbretërore ishte “një ndjesi e të qenit jashtë vetvetes”.

“Ishte diçka që nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të më vinte ndonjëherë”, tha ajo.

“Personi i parë që doja t’i tregoja ishte babai im që nuk jeton më. Ishte gjithashtu një moment i jashtëzakonshëm i suksesit”, tha Lokko pasi mori OBE-në e saj nga princesha Anne në Pallatin Holyroodhouse në Edimburg.

Mbreti Charles lëshoi një letër që konfirmonte nominimin e Lokko për Medaljen e Artë Mbretërore duke e ftuar atë në Pallatin Buckingham.

Vitin e kaluar, Lokko u bë gruaja e parë me origjinë afrikane që kuroi ngjarjen e arkitekturës së Bienales së Venecias, ku u fokusua në temat e dekarbonizimit dhe dekolonizimit.

“Kur fillova arkitekturën, e cila është ndoshta rreth 30 vjet më parë, ishin vetëm dy njerëz me ngjyrë në klasën time prej pothuajse 100 personash. Mendoj se ishim gjashtë gra”, tha Lokko.

Medalja do t’i jepet zyrtarisht Lokkos në Londër në muajin maj.

Arkitektja e parë grua e Pakistanit, Yasmeen Lari u nderua me medalje vitin e kaluar, dhe figura të tjera të mëparshme përfshijnë Zaha Hadid, Norman Foster, Frank Gehry, Frank Lloyd Wright dhe George Gilbert Scott.

Medalja e Artë Mbretërore u dha për herë të parë në 1848 dhe i jepet një personi ose grupi njerëzish që kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në progresin e arkitekturës./ /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like