Analistët: Pikëpyetje mbi pushtetin e Putinit pas revoltës së grupit Wagner

by admin
Spread the love

Ushtria ruse ka tërhequr trupat e dislokuara për të mbrojtur kryeqytetin pasi forcat e grupit mercenar Wagner u larguan nga qyteti Rostov-on-Don.

Kremilini tha se ishte arritur një marrëveshje me komandantin e grupit mercenar, por kjo revoltë thonë analistët mund të ketë pasoja afatgjata për pushtetin e Presidentit Vladimir Putin dhe luftën e nisur prej tij në Ukrainë. Imazhi i Putinit si një udhëheqës i ashpër tashmë është dëmtuar keq nga lufta në Ukrainë. Shumë analistë thonë se marshimi i së shtunës drejt Moskës nga forcat nën komandën e Yevgeny Prigozhinit shpërfaqi dobësitë e forcave qeveritare ruse.

Në qytetin rus, Rostov-on-Don duket se ka rënë qetësia këtë të dielë, ndërsa në rrugë dallohen qartë gjurmë tankesh të luftëtarëve të grupit mercenar Wagner, që u tërhoqën nga qyteti.

Sfida më e madhe e Presidentit rus Vladimir Putin në më shumë se dy dekadat e tij në pushtet u shua, pasi komandanti i mercenarëve të grupit Wagner, i cili urdhëroi trupat e tij të marshonin drejt Moskës, papritmas arriti një marrëveshje me Kremlinin dhe urdhëroi trupat e tij të tërhiqen.

Revolta e shkurtër shpërfaqi dobësitë e forcave qeveritare ruse, thonë analistë, ndërsa luftëtarët e grupit Wagner nën komandën e Yevgeny Prigozhinit ishin në gjendje të lëviznin pa pengesa në qytetin rus Rostov-on-Don dhe të përparonin qindra kilometra drejt Moskës. Ushtria ruse u vu në lëvizje për të mbrojtur kryeqytetin e Rusisë.

Sipas marrëveshjes së shpallur të shtunën nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, Prigozhini do të shkojë në Bjellorusinë fqinje, e cila ka mbështetur agresionin e Rusisë në Ukrainë. Akuzat kundër tij për kryengritje të armatosur do të rrëzohen.

Qeveria tha gjithashtu se nuk do të ndjek penalisht luftëtarët e grupit Wagner që morën pjesë në revoltë, ndërsa atyre që nuk u bashkuan në kryengritje do t’u ofrohen kontrata nga ministria e Mbrojtjes. Prigozhini urdhëroi trupat e tij të kthehen në kampet e tyre fushore në Ukrainë, ku ata kanë luftuar së bashku me ushtarët e rregullt rusë.

“Fakt është se kjo marrëveshje duket se i ka dhënë Prigozhinit një lloj lirie për t’u larguar në Bjellorusi. Është ndoshta një surprizë që disa nga mercenarët e grupit Wagner do të futen në ushtrinë e rregullt ruse. Por gjithashtu unë mendoj se kjo sagë nuk ka përfunduar. Sepse e kam shumë të vështirë ta besoj se Prigozhini do të ketë një jetë të qetë në Bjellorusi”, thotë Mark Lyall Grant, ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në OKB.

Pavarësisht situatës së krijuar, ekspertja Marina Miron, nga Departamenti i Studimeve të Mbrojtjes në Kolegjin “King” në Londër mendon se ende nuk ka ardhur fundi për drejtuesin e grupit mercenar Wagner.

“Mendoj se Putini mund të mos përpiqet ta heqë qafe menjëherë Prigozhinin, sepse dikush do të duhet të marrë komandën e trupave të tij në Afrikë, kështu që pjesa e trupave që janë në Rusi mund të dërgohen përsëri në Ukrainë dhe ata që janë në Afrikë dhe Siri do të kenë nevojë për një udhëheqës. Eleminimi i menjëhershëm i Prigozhinit nuk do ta kishte favorizuar Putinin në terma afatgjatë. Kështu që ndoshta për këto qëllime Prigozhini do të mbahet nën hije në mënyrë që të mund të kontrollojë trupat derisa të dalë një alternativë më e mirë”, thotë ekspertja.

Moska u bë gati për përballje me forcat e grupit Wagner duke ngritur pika kontrolli me automjete të blinduara dhe trupa në pjesën jugore të qytetit. Rreth 3 mijë ushtarë çeçenë u tërhoqën nga luftimet në Ukrainë dhe u nisën me nxitim atje herët të shtunën, njoftoi televizioni shtetëror në Çeçeni. Trupat ruse të armatosura me mitraloza vendosën pika kontrolli në periferinë jugore të Moskës, ndërsa pjesë të autostradave u gërmuan për të ngadalësuar marshimin.

Prigozhini kishte kërkuar shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, të cilin e ka kritikuar prej kohësh me përçmim për drejtimin e luftës 16-mujore në Ukrainë. Të premten, ai akuzoi forcat nën komandën e ministrit Shoigu se sulmuan kampet e grupit Wagner.

“Kjo që ndodhi është një shtysë që Putini të mendojë për një ristrukturim, ndoshta të ministrisë së mbrojtjes dhe vendosjen e dikujt shumë më të aftë me përvojë ushtarake sesa ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Por është e vështirë të gjesh njerëz besnikë që nuk do të të godasin pas shpine, veçanërisht në një vend si Rusia. Pra, mund të ndodhë, por do të marrë kohë sepse për momentin nuk ka asnjë alternativë të qëndrueshme nëse e largon zotin Shoigun”, thotë Dr Marina Miron, nga kolegji “King” në Londër.

Shërbimet amerikane të zbulimit kishin informacione se prej kohësh Prigozhini kishte grumbulluar forcat e tij pranë kufirit me Rusinë. Udhëheqësit e Kongresit u informuan për grumbullimin e trupave të grupit Wagner në fillim të javës së kaluar, tha një njohës i çështjes që foli për agjencinë e lajmeve “Associated Press” me kusht që të mos identifikohet.

Një motiv i mundshëm për kryengritjen e Prigozhinit ishte kërkesa e ministrisë së Mbrojtjes, të cilën presidenti Putin e mbështeti, që kompanitë private të nënshkruanin kontrata me të deri më 1 korrik. Prigozhini kishte refuzuar ta bënte këtë.

Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura britanike, Richard Dannatt, mendon se pavarësisht kësaj situate të krijuar, Ukraina sërish duhet të ketë kujdes.

“Fuqia e Putinit dhe e ushtrisë ruse ka rënë shumë dhe kjo është e rëndësishme për sa i përket Ukrainës. Por fakti që Prigozhini dhe grupi Wagner po shkojnë në Bjellorusi nga ana tjetër është shqetësuese. Sepse nëse ai ka shkuar në Bjellorusi së bashku me forcat e tij, kjo paraqet përsëri një kërcënim për forcat ukrainase pranë Kievit, ku gjithçka filloi më 24 shkurt të vitit të kaluar”, thotë ai.

Trupat e Wagner-it kanë luajtur një rol vendimtar në luftën e Ukrainës, duke pushtuar qytetin lindor të Bakhmutit, një zonë ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme dhe më të gjata. /VOA


Top Channel

You may also like