Analistët: Incidenti me djegien e Kuranit bllokon rrugën e Suedisë drejt NATO-s

by admin
Spread the love

Planet e Suedisë, por edhe Finlandës, për t’u anëtarësuar shpejt në NATO, kanë hasur në pengesa. Turqia – si vend anëtar i aleancës me të drejtë vetoje – ka shtyrë për kohë të pacaktuar bisedimet e anëtarësimit.

Kjo, pasi një politikan i ekstremit të djathtë në Suedi ka djegur një kopje të Kuranit – librit të shenjtë islamik – jashtë Ambasadës turke në Stokholm, më 21 janar. Në lejen që Rasmus Paludan ka marrë nga policia, është thënë se protesta e tij është “kundër Islamit” dhe “kundër përpjekjeve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për të ndikuar lirinë e shprehjes në Suedi”.

Incidenti ka shkaktuar zemërim dhe protesta gjetkë në botën myslimane, ndërsa Erdogan ka porositur Suedinë që të mos presë mbështetje nga Turqia për anëtarësim në NATO.

“Nëse vërtet i respektoni të drejtat dhe liritë, duhet të respektoni edhe Republikën e Turqisë ose besimet fetare të myslimanëve. Nëse nuk e tregoni këtë respekt, më vjen keq, ju nuk do të keni mbështetje nga ne për anëtarësim në NATO”, ka thënë Erdogan.

Suedia dhe Finlanda, me dekada, kanë qenë ushtarakisht neutrale. Por, lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar pikëpamjet e tyre për sigurinë.

Finlanda ka një kufi prej 1.300 kilometrash me shtetin rus, ndërsa ishulli suedez i Gotlandit gjendet vetëm 300 kilometra larg enklavës ruse të Kaliningradit, ku edhe është e pozicionuar Flota Baltike e Rusisë. Kështu, të dyja vendet – me ushtri relativisht të forta – e kanë parë NATO-n si mekanizmin më të mirë për garantimin e sigurisë së tyre. Ato kanë aplikuar bashkërisht për anëtarësim në maj të vitit të kaluar.

Nga 30 vendet anëtare, deri më tash, vetëm Turqia dhe Hungaria nuk e kanë ratifikuar hyrjen e tyre në aleancë, megjithëse Budapesti ka premtuar se do ta bëjë këtë në fillim të këtij viti.

Turqia, qysh në fillim, ka qenë kundër anëtarësimit të tyre në NATO, duke i akuzuar dy vendet nordike për strehimin e militantëve kurdë, që kërcënojnë shtetin turk. Stokholmi dhe Helsinki i kanë hedhur poshtë akuzat. Megjithatë, në muajin qershor, së bashku me Ankaranë, ata kanë nënshkruar një marrëveshje trepalëshe që adresonte disa nga shqetësimet e Turqisë.

Është dukur se kjo marrëveshje po i hapte rrugë zgjerimit të aleancës 74-vjeçare, por gjërat, me sa duket, janë bllokuar sërish.

Suedia e ka dënuar incidentin me djegien e Kuranit, duke thënë se “provokimet islamofobike janë të tmerrshme”. Por, ministri i saj i Jashtëm, Tobias Billstrom, ka shkruar në Twitter se “Suedia ka një liri të madhe të shprehjes dhe kjo nuk do të thotë se Qeveria suedeze, ose unë, i mbështesim mendimet e shprehura”.

Analistët në Suedi thonë se nga bllokada turke përfiton vetëm presidenti rus, Vladimir Putin. Sipas tyre, Suedia i ka adresuar shumicën e shqetësimeve të Turqisë dhe liria e shprehjes nuk mund të ndërlidhet me çështje të sigurisë. Për programin Expose të Radios Evropa e Lirë flet ish-diplomati suedez, Michael Sahlin, i cili ka shërbyer si ambasador edhe në Turqi:

“Kemi ardhur në fund të rrugës. Ne i kemi plotësuar – ndoshta edhe më shumë seç duhet – nevojat e Turqisë dhe tani i takon Turqisë të vendosë”.

“Në një vend liberal natyrisht se do të keni djegie të Kuranit apo kukulla që portretizojnë Erdoganin të varur në rrugë. Ne nuk mund t’i ndalojmë këto. Mund të mos i pëlqejmë, të shprehim zemërim si qeveri, por nuk mund të ndalohen. Dhe, kjo vlen për secilin vend të NATO-s që e përshkruan veten si liberal dhe demokratik”, thotë Sahlin./ REL


Top Channel

You may also like