Analistët e vlerësojnë të dobët Kurtin në transparencë dhe llogaridhënie, kërkojnë transformim të kabinetit qeveritar

by admin
Spread the love

Transparenca dhe llogaridhënia si çdo qeveri, po e përcjell edhe këtë të Albin Kurtit. Njohësit e çështjeve politike në vend, thonë se ekzekutivi duhet të jetë më informues dhe me transparentë, raporton Ekonomia Online.

Kërkesë
tjetër e tyre është riformatizimi i kabinetit qeveritar, ato dikastere ku
ministrat përkatës nuk kanë pasur suksese veçanërisht në zbatimin e planit të
tyre të punës.

Ata
thonë se kryeqeveritari duhet të dalë në konferenca më shpesh, në mënyrë që ta
informojë qytetarin për vendimet e tij dhe t’i arsyetojë ato.

Njohësi
i çështjeve politike në vend, Artan Demhasaj në një intervistë për Ekonomia
Online tha se ndëshkimi më i madh për Qeverinë do të vije nga populli në
momentin që vijnë zgjedhjet e tjera.

Ai
ka përmendur vendimet që i konsideron si negative, siç janë ngritja e çmimeve
në treg dhe shtrenjtimi i rrymës.

“Nuk
është se ka pasur ndonjë zhvillim të madh për me e veçuar përpos iniciativës që
Qeveria e ka marrë sa i përket procesit të Wettingut ose një reformë  më të thellë në sektorin e drejtësisë, kjo
mundet me u veçuar ndoshta si një shtyllë 
e madhe që është iniciuar dhe është filluar nga Qeveria Kurti. Në anën
tjetër nuk ka ndonjë ndryshim të madh që vlen me u përmend, përpos që ka edhe
çështje negative pra që kanë filluar si shtrenjtimi i rrymës elektrike, rritja
tepër e madhe e çmimeve në treg që po vazhdon dhe Qeveria nuk po merr masa për
me pa dhe me ndikuar që mos me e leju që çmimet me u rrit. Nuk ka diçka tjetër
pozitive që mundet me u përmend”, tha Demhasaj.

“Nuk
mundemi me thënë se janë llogaridhënëse për shkak që nuk kanë komunikim shumë
të madh edhe me mediet por njëkohësisht edhe me shoqërinë civile por në një far
mënyre janë të bllokuar brenda guasës së tyre dhe thjesht nuk është që japin
shumë sqarime ose shumë informacione për publikun se çka po ndodh me qeverisjen
e përditshme. Mendoj që duhet me pas konferenca për shtyp më shumë ku Qeveria
del dhe i shpjegon publikut për vendimet që i ka marr, për arsyetimet e
vendimeve që i ka marrur, kjo nuk po ndodh prandaj mendoj që thjeshtë nuk është
që kjo mundet me u ndreq me ndonjë rregullativë të caktuar ligjore por thjesht
është vullnet i mirë që Qeveria duhet me pas që me qenë më transparente dhe më
llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe votuesve të sajë”, thotë Demhasaj.

Ndërsa
politologu, Arbnor Sadiku, thotë se duhet të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar,
me theks të veçantë, në atë të Punëve të Jashtme, pasi sipas tij, diplomacia
kosovare ka dështuar.

“Qasja
duhet të jetë më produktive dhe më bashkëpunuese, veçanërisht në politikën e
jashtme. Konsideroj që Kosova ka një mungesë të një politike të jashtme dhe
diplomacie kosovare, prandaj kërkohet që të kemi një ministre ose një ministër
të ri të Ministrisë së Punëve të Jashtme për arsye se kemi pasur ngecje çoftë
në ardhjen e njohjeve të reja për Kosovës, të njëjtën kohë edhe në pjesëmarrje
në samite të ndryshme ndërkombëtare dhe promovim të politikës së jashtme të
Kosovës në aspektin e pranimit të shtetësisë së Kosovës, çoftë me njohje të
reja apo anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtar siç janë OKB, pranimi nga vet
Bashkimi Evropjan UNESCO dhe një sërë organizatash të tjera ndërkombëtare që e
forcojnë legjitimitetin dhe legalitetin e shtetësisë së Kosovës”.

“Unë mendoj se pas një viti qeverisje Kurti do të duhej ta bënte një riformatizim të Qeverisë, ato dikastere ku ministrat përkatës nuk kanë pasur suksese veçanërisht në zbatimin e planit të tyre të punës së brendshme dhe mungesë të theksuar të rezultateve çoftë në diplomaci, në administratë publike apo edhe në pjesën tjetër të financave publike, do të duhej rishikuar me një kujdes të veçantë dhe ata ministra të cilët nuk e kanë kryer detyrën e tyre në mënyrën e duhur të riformatizohen të ndërrohen ministra të ri, çoftë nga vet ministrat që tani janë në pushtet apo edhe me marrjen e kuadrove që mund të gjinden në shoqërinë civile apo janë të paangazhuar në këtë qeverisje aktuale”, ka thënë Sadiku.

You may also like