Amerikano-hebreu i akuzuar për spiunazh në favor të Kinës – Shqip

by admin
Spread the love

Prokurori federal i New York-ut njoftoi se akuzoi një shtetas izraelito-amerikan për spiunazh në favor të Kinës, i cili nga ana e tij akuzon për korrupsion Hunter Biden-in, djalin e presidentit demokrat Joe Biden, transmeton AFP.

Gal Luft, 57 vjeç, drejtor i Institutit të Kërkimeve të Energjisë, akuzohet se “si agjent i Pekinit u bashkua me të tjerët për të promovuar interesat kineze” dhe “nuk u regjistrua zyrtarisht si agjent i huaj, siç kërkohet nga ligji amerikan”, theksoi në një deklaratë zyra e Prokurorit të SHBA për Distriktin Jugor të New York-ut Damian Williams.

Luft po ndiqet penalisht edhe për “trafik armësh”, “shkelje të sanksioneve kundër Iranit” dhe “deklarata të rreme ndaj agjentëve federalë”.

Ai u arrestua në Qipro në shkurt 2023, dhe më pas u arratis pasi u lirua me kusht në pritje të ekstradimit, shtoi Ministria e Drejtësisë. Ai përballet me 20 vite burg për akuzat më të rënda.

Thirrjet për dëshmi

Gal Luft, i cili punonte si konsulent për kompaninë energjetike CEFC të kontrolluar nga shteti kinez, akuzoi djalin e vogël të Joe Biden, Hunter, se kishte marrë miliona dollarë nga ajo kompani në rrethana të errëta disa vite më parë.

Në një video të publikuar nga New York Post më 5 korrik, Luft thotë se ai e diskutoi këtë çështje me dy prokurorë federalë të SHBA dhe katër agjentë të FBI-së në Bruksel në mars 2019.

Disa ligjvënës konservatorë po bëjnë thirrje që Luft të dëshmojë në Kongres.

“Ai është dëshmitari yll,” tha senatori republikan Ron Johnson për Fox News të dielën. “Ne duhet t’i sigurojmë atij imunitet në mënyrë që të dëshmojë dhe të tregojë historinë e tij.

Gal Luft është një dëshmitar jashtëzakonisht i besueshëm për korrupsionin në familjen Biden,” shkroi të premten në Twitter deputeti republikan James Comer.

Biznes i dyshimtë

Në maj, përfaqësuesit republikanë në komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e qeverisë publikuan një raport në të cilin deklarojnë se anëtarët e familjes së Joe Biden dhe njerëzit e lidhur me ta kanë marrë pothuajse 10 milionë dollarë nga kompani të huaja, kryesisht kineze dhe rumune.

Akuzat janë pjesë e një fushate të gjatë për të ekspozuar marrëdhëniet e dyshimta të Hunter Biden, djalit të presidentit demokrat, i cili ka një jetë private të trazuar.

Republikanët e akuzojnë atë se ka përdorur emrin e tij dhe lidhjet e babait të tij gjatë kohës që ishte zëvendëspresident i Barack Obamës (2009-2017) për të lidhur marrëveshje të dyshimta në disa shtete. /tesheshi.com/

You may also like