Ambasadori i Bashkimit Evropian në Ankara: Turqia ka lidhje shumë të ngushta me Unionin

by admin
Spread the love

Ambasadori Nikolaus Meyer-Landrut bëri vlerësime për Agjencinë Anadolli (AA) në lidhje me Ditën e Evropës, e cila festohen çdo 9 Maj.

Zyrtari më i lartë evropian në Turqi tha se Deklarata e Shumanit (9 Maj 1950) synonte të bashkonte industrinë e rëndë, gjë që i çoi vendet në luftë më parë, në një mënyrë të tillë që ata të mos mund të luftonin më ndërmjet tyre.

“Rrjedhimisht, mesazhi kryesor i Ditës së Evropës është paqja, demokracia, bashkëpunimi, të drejtat e njeriut”, u shpreh ai.

Duke komentuar interesin e shfaqur nga institucionet dhe organizatat shtetërore, shoqëria civile dhe populli në Turqi për aktivitetet me rastin e Ditës së Evropës, Meyer-Landrut u prononcua me këto fjalë: “Turqia nuk është anëtare e BE-së, por një vend kandidat. Ajo ka lidhje shumë të ngushta me BE-në. Turqia është anëtare e shumë programeve evropiane, përfshi këtu edhe programin e shkëmbimit të studentëve «Erasmus +». Pra, ka shumë ndërveprim në nivel individual. Ndaj është shumë bukur të shohësh që populli turk e jeton Ditën e Evropës me gëzim, njësoj si ne, dhe e pranon atë si një ditë të përbashkët ku festohen këto vlera.”

Në Ditën e Evropës, e cila ka për bazë paqen në Evropë, shefi i Delegacionit të BE-së në Turqi foli gjithashtu për luftën ruso-ukrainase që shpërtheu këtë vit.

“Integrimi evropian dhe procesi evropian i kanë rrënjët te paqja, demokracia, të drejtat e njeriut. Dhe, fatkeqësisht, prej më shumë se dy muaj e gjysmë, me këtë luftë agresioni të Rusisë kundër Ukrainës, ne po shohim në kontinentin evropian përsëri një luftë në shkallë të paprecedentë që nga Lufta II Botërore”, tha ai.

Meyer-Landrut theksoi se ky është një zhvillim shumë i trishtueshëm.

“Në këtë kontekst, ne duhet ta mbështesim Ukrainën dhe luftën e saj për lirinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. Për të gjithë ne, kjo është një sfidë, një luftë për liri”, potencoi ai mes të tjerash.

You may also like