Alzheimer, një sëmundje e trishtë e harresës progresive. Ja cilat janë stadet

by admin
Spread the love

Alzheimer është një nga format më të zakonshme të demencës progresive degjenerative. Fillesat e kësaj sëmundjeje i gjejmë kryesisht duke filluar nga mosha 65 vjeçare, edhe pse janë hasur dhe raste prekokse (pra përpara kësaj moshe). Përgjithësisht haset tek femrat dhe është një nga format më të shpeshta të demencës, me një prevalencë që shkon rreth 1% përpara moshës 70 vjeçare dhe arrin në 20% në moshën mbi 90 vjeçare. Në botë ka rreth 50 milionë persona të prekur dhe vlerësohet se në të ardhmen do të ketë akoma më tepër, deri në trefishimin e këtij totali pas rreth 20 vitesh.

Sëmundja ka një dekurs të rëndë dhe zakonisht pacientët e prekur prej saj, ndërrojnë jetë 3-10 vite nga momenti i nisjes së simptomave. Në fillim mund të hasen probleme me humbjen e kujtesës, mungesën e orientimit në kohë dhe hapësirë. Shumë vende të njohura mund të duken të panjohura. Pas këtyre shenjave fillestare, sëmundja nis të avancojë duke bërë që personi të harrojë emrat e njerëzve të njohur, të jetë konfuz, të ketë alterime të humorit, të ketë vështirësi në komunikim dhe të bëhet i varur nga të tjerët për realizimin e aktiviteteve të përditshme.

Në stadin final, pacienti paraqitet në varësi të plotë nga të tjerët dhe në mungesë totale aktiviteti. Ai e humbet aftësinë për të komunikuar, bëhet afazik, aftësitë konjitive shterojnë akoma më tepër, aftësitë motore reduktohen, humbet orientimi në kohë dhe hapësirë, shfaqen elemente agresive të sjelljes dhe varësi totale për realizimin e çdo gjëje në përditshmëri, qoftë dhe kujdesit për veten, deri në humbjen e ndjeshmërisë.

Në këtë moment nis një stad parikthyeshmërie, që përfundon me vdekjen e personit. Sëmundja është tepër e rëndë, invalidizuese, tepër e vështirë për personin e prekur dhe familjarët. Auguste Deter (1850-1906) ishte pacienti i parë i diagnostikuar me Alzheimer, nga dr. Alois Alzheimer, një psikiatër gjerman.

You may also like