Allegri: Shqetësim lufta në botë, jo kthimi i Vlahovic në Firence! Të shënojmë gol

by admin
Spread the love

Juventusi luan nesër kundër Fiorentinës gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Trajneri Massimiliano Allegri ka dalë para mediave dhe fillimisht ka deklaruar: “Nuk është se kam ndonjë ide, do të shohim se kë do të kemi në dispozicion. Kemi disa gati, një pjesë do e nisë nga fillimi, të tjera do aktivizohen më pas. Do jetë një test i mirë për ne dhe në Firence është gjithmonë bukur të luash. Do jetë e rëndësishme të shënojmë nesër, pasi goli në fushë kundërshtare është ende në fuqi”.

“Nga dëmtimet nuk jam i shqetësuar. Dybala dhe Bernardeschi kthehen të enjten dhe janë gati për kampionatin, Rugani është mirë. Alex Sandro shpresojmë ta kemi gati për ndeshjen ndaj Villareal. Chiellini është ende jashtë, kurse pjesa tjetër janë ata që do qëndrojnë gjatë jashtë”.

“Vlahovic? Besoj në inteligjencën dhe kulturën e tifozëve të Fiorentinës. Nesër do jetë një ndeshje e mirë futbolli, një mbrëmje sportive. Vlahovic do t’u jetë mirënjohës të gjithëve në Firence, që e rritën dhe e lejuan të vinte te Juventusi. Tani shqetësim duhet të jetë lufta dhe problemet e tjera në botë. Fiorentina-Juventus duhet të jetë një ndeshje e mirë futbolli, me lojtarë të mirë, që duan të shkojnë në finalë të Kupës së Italisë. Mendoj se do jetë një mbrëmje e mirë sportive”.

“Dusan është i qetë para kësaj ndeshjeje. Normalisht që ka emocione të kthehet në një mjedis ku u rrit dhe i dha mundësinë të transferohej te Juve. Do jetë ndeshje e veçantë për të, por është i qetë dhe kështu duhet të qëndrojë. Ndryshe nuk do të luante asnjëherë kundër Fiorentinës. Ka hapa që duhen ndërmarrë, që djali të piqet. Çfarë na ka dhënë ai ne? Qetësinë e të pasurit një lojtar që të krijon mundësinë të shënosh. Ekipi kishte punuar mirë më parë dhe i kishte vendosur themelet. tani duhet të përmirësojmë diçka tjetër, pasi pësojmë gola të evitueshëm. Pësimi i pak golave deri në fund do të thotë ta mbyllim në katërshen më të mirë”

“Sulmi? Jam i kënaqur me paraqitjen e Kean. Ai shënoi gol dhe gjithmonë ka raste. Në përgjithësi bëri një ndeshje të mirë. Më duhet të bëj një vlerësim. Një mes Kean, Vlahovic e Morata do qëndrojë jashtë. Dusan ka luajtur shumë ndeshje dhe duhet të marr një vendim. Shans për të riun Miretti? Ai është lojtar i mirë, ka luajtur në fushë të vështira me U23. Ai dhe të tjerët janë rritur shumë. Ndoshta një mes tij, Ake e Soule mund të luajë”.

“Fiorentina pa Vlahovic? Nuk është ndryshe Fiorentina, pasi kanë sërish dy sulmues fizikë që sulmojnë thellësinë dhe duan të shënojnë.  Fiore luan me intensitet të lartë dhe krijon raste të rrezikshme. Gjysmëfinalja do të ketë ritëm të lartë, do të jetë e rëndësishme të jemi në të njëjtin nivel me ta”, u shpreh trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri. / oversport.tv

You may also like