Albana Vokshi: Basha po mundohet të krijojë skenarë dhe intriga, sa më shumë vonon largimin, aq më i keq fundi

by admin
Spread the love

Deputetja demokrate Albana Vokshi, e konsideroi një turp dhe papërgjegjshmëri nga ana e Lulzim Bashës, faktin që ky i fundit zhvillonte mbledhje për të diskutuar fatin e tij politik, ndërsa qytetarët protestonin në rrugë.

Gjithashtu, Vokshi tha se Komisioni i Rithemelimit i ka dyert e hapura për deputetët e PD që pranojnë votën e lirë.

“Basha dhe deputetët e tij ishin mbledhur në seline ende të blinduar të PD, për të diskutuar fatin e Bashës. Kjo jo vetëm është papërgjegjshmëri por edhe turp. Në protestë kishte qytetarë që e kishin mendjen se çfarë po ndodhte në selinë e PD. Në atë moment duhet të diskutoheshin masat urgjente për uljen e çmimeve, paketat e bonusit, ato të vërtetat dhe jo falset që Rama propozoi dje. E konsideroj papërgjegjshmëri të deputetit Basha. Ai është shkarkuar në Kuvendin e 11 dhjetorit. Nuk e di çfarë i kërkojnë më deputetët, që thjesht duhet të larë selinë dhe të iki. Ai thjesht mban logon, nuk ka nga çfarë të japi dorëheqjen. Komisioni i Rithemelimit i ka dyert të hapura për deputetët e PD që pranojnë votën e lirë. Pas 6 marsin u vërtetua qartë kush e ka mazhorancën absolute brenda PD dhe opozitës”, tha Vokshi.

Duke folur mbi mundësinë e bashkimit të së djathtës, Vokshi tha se gara është e hapur dhe nuk do të shihet se kush i është bashkuar foltores i pari apo i fundit.

“Nuk është i mjaftueshëm 30 për qindshi ndaj duhet të bashkohemi. Paraqitemi si forcë e bashkuar, që ka program, nuk merret me gjobvënie duke shfrytëzuar aferat korruptive. Jemi të hapur për çdo mjet i cili do të çonte në bashkimin e PD-së, por i vetmi kusht është pranimi i votës së anëtarësisë. I kemi premtuar anëtarëve rikthimin e votës së lirë. Gara është e hapur çdo nivel, për çdo forum të PD-së. Nuk do shohim kush ka ardhur i pari, apo i fundit me foltoren. Këdo që do vendosin anëtarët do jetë pjesë e Këshillit, Kryesisë, në forumet e reja. Pas 30 prillit do merren hapat për organizimin e zgjedhjeve në PD. Është koha për të tejkaluar të kaluarën, një vendimarre që mund të ketë qenë anti-demokratike, anti-statutore, përçarëse. Basha mori vendimin duke mos na i dhënë të drejtën e votës. Shoh me kënaqësi, që pavarësisht e vonuar, kolegët e mi kanë ardhur në të njëjtin propozim që ne kishim para disa muajsh. Më mirë vonë se kurrë!”, tha Vokshi.

Së fundmi, Vokshi foli për skenarë dhe intriga që po përpiqet të krijojë Lulzim Basha dhe i konsideroi si pjesë të skemës deklaratat, për të bërë një hap pas.

“Lulzim Basha po mundohet të krijojë skenarë, intriga të ndryshme. Një pjesë e tyre kanë thënë ‘bëni një hap pas’. Një hap pas është skema e Lulzim Bashës për ta mbajtur peng edhe disa ditë. Sa më shumë e vonon largimin e tij nga karrigia e uzurpuar e kryetarit të PD, është më i keq është fundi i tij. Ai është njeri i vetmuar, i braktisur edhe nga ata që i ka pasur afër deri më 6 mars. Nëse i ka mbetur një fije dinjiteti duhet të lirojë selinë për t’i hapur rrugën bashkimit. Mesazhet që të tërhiqet Basha me kushtin që të tërhiqet Berisha do të thotë që mos respektosh rregullat e lojës”, shprehet Vokshi.

You may also like