Aktivizimi i partive politike në diasporë – ekspertët: Bashkatdhetarët po shihen vetëm si vota e para

by admin
Spread the love

Partitë kanë shtuar aktivitetet e tyre politike në diasporë, duke mbajtur tubime e njoftuar për aktivizim degësh e aderime të reja. Lidhur me këtë ekspertët thonë se këto veprime të partive vijnë pasi në zgjedhjet e fundit është parë se diaspora ka luajtur rol të rëndësishëm në vjeljen e votave, raporton Ekonomia Online.

Por ata po kërkojnë që të ketë komunikim të
dyanshëm e të mos shihet diaspora vetëm si vota e para.

Drejtori i organizatës “Germin”, Lirim Krasniqi në
një intervistë për Ekonomia Online tha se partitë politike e kanë parë
potencialin elektoral të diasporës, për këtë arsye kanë shtuar aktivitetin e
tyre politik edhe jashtë vendit.

Sipas tij me votat e tyre në zgjidhjet e fundit janë
siguruar më shumë se pesë deputetë.

“Po kjo po ndodh natyrshëm që në zgjedhjet e fundit diaspora ka
luajtur një rol mjaft të madh në zgjedhje duke mbështetur masovikisht një parti
politike e cila vetëm nga votat e diasporës ndoshta ka siguruar më shumë se 5
deputetë. Duke parë këtë potencial elektoral që ekziston në diasporë partitë
politike natyrshëm me qëllime elektorale kanë shpeshtuar aktivitetin në
diasporë. Në njërën anë kjo është e natyrshme dhe goxha e arsyeshme nga ana e
partive për të targetuar një elektorat të cilin më parë e kanë neglizhuar”.

Krasniqi thotë se ky aktivizim duhet të shihet me pozitivitet pasi jep
sinjal se partitë në vend e kanë seriozisht përfshirjen e diasporës në
vendimmarrje.

“Po kjo shkon në të njëjtën linjë me rritjen e votës dhe përkrahjes në
diasporë edhe shumë më mirë është ndoshta që pjesëtarët e diasporës të bëhen
pjesë e mekanizmave, strukturave të ndryshme sepse kjo jep një sinjal që
partitë politike në Kosovë e kanë njëmend angazhimin e diasporës dhe
përfshirjen e tyre në vendimmarrje në strukturat e tyre vendimmarrëse. Kjo
duhet të shihet ndoshta me pozitivitet mbetet të shihet se cilat janë qëllimet
ose synimet e vërteta dhe sa të sinqerta janë këtë përpjekje të partive
politike për të akomoduar pjesëtarët e diasporës brenda strukturave të
tyre”.

Por sipas tij, duhet t’u jepet më shumë hapësirë profesionistëve jashtë
vendit në mënyrë që ata të japin kontributin e tyre në Kosovë.

“Roli i diasporës në politikëbërje nuk është aq i madh sa është
potenciali. Ka shumë më shumë potencial se që ka pasur diaspora rol në
vendimmarrje në Kosovë gjatë këtyre viteve. Ne vazhdimisht kemi avokuar që të
krijohen sa më shumë hapësirë për profesionist të diasporës, për kapacitetin intelektual
që e kemi jashtë vendit në mënyrë që ata të japin kontributin e tyre në Kosovë
në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por, gjithashtu edhe të shërbejnë si ura lidhëse
mes Kosovës dhe botës”.

Tutje ai thotë se komunikimi duhet të jetë i dyanshëm në mënyrë diaspora të
mos shihet vetëm si shumë financiare, raporton EO.

“Të ofrohet më shumë hapësirë por jo vetëm, po të ketë një komunikim
të dyanshëm ku diaspora nuk shihet vetëm si para ose si shuma financiare. Po të
shihet si pjesë integrale e zhvillimeve politike sociale dhe ekonomike në
Kosovë. Dhe me të komunikohet siç komunikohet me gjithë të tjerët në Kosovë.
Edhe anasjelltas diaspora ta sheh Kosovën si pjesë të saj ku koontribon në
vazhdimësi edhe ku tenton të jap kontributin e saj në fusha të ndryshme”.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku për Ekonomia Online tha
aktivizimi i partive politike në diasporë po ndodh pasi partitë politike në
zgjedhjet e fundit, një numër të madh të votave kanë marrë nga atje.

“Kjo ndodh kjo kryesisht për faktin që në zgjedhjet e fundit e dimë se
Lëvizja Vetëvendosje ka marr një numër të madh të votave nga diaspora që e ka
rritur përqindjen e votave të përgjithshme në zgjedhjet nacionale madje ka
pasur edhe vota që kanë ardhur për kryetar të komunave nga diaspora. Kjo i ka
mobilizuar edhe partitë e opozitës që në njëfarë forme të shkojnë në diasporë
dhe të mobilizojnë elektoratin e tyre. Për vetë faktin se ai mund të jetë
ndoshta edhe përcaktues për të marrë le të themi fitoren e mandateve dhe të
zgjedhjeve në nivel nacional po ashtu edhe në atë lokal”.

Sadiku thekson se qëllim kryesor i partive politike me rritjen e
aktiviteteve politike jashtë vendit është rritja e votueseve.

“Qëllimi kryesorë është rritja sa më e madhe e votueseve dhe në anën
tjetër ndikimi në përgjigjen totale të votuesve të cilët edhe votave që mund ti
marrin partitë politike nga zgjedhjet qoftë nacionale apo edhe lokale. Kjo
shpesh herë mund të jetë përcaktues, kur e dimë që shpesh herë ndodh në
zgjedhje që ndoshta që për 1% ose më pak se 1% a 100 vota në zgjedhjet lokale e
kemi pasur zgjedhjet komunale në Dragash, njëherë ka fituar pozita dhe më vonë
është dal që ka fituar opozita”.

Sa i përket rolit të diasporës, ai thotë se duhet që persona kompetent të
merren me angazhimin e diasporës në promovimin e vlerave të Kosovës në vendet
ku atje jetojnë.

Madje ai kërkon që të mblidhen fonde nga mërgata që t’i ndihmohet vendit
sidomos në këtë periudhë të krizës, pas luftës në Ukrainë.

“Konsideroj që përveç marrjes së votës nga diaspora ne duhet t’i bëjmë
ata edhe aktiv si deputetë në Parlamentin e Kosovës dhe t’iu japim një resort
të caktuar që mund të jetë ndonjë zv.ministër për Diasporë apo ndonjë ministër
i caktuar i cili ka të bëjë drejtpërdrejtë me diasporën, çështjet e tyre,
preokupimet dhe angazhimin e tyre qoftë për promovimin e vlerave të Kosovës dhe
të historisë së Kosovës në diasporë”.

“Në të njëjtën kohë edhe për mbledhjen e fondeve nga diaspora për t’i ndihmuar ekonomisë së kosovare veçanërisht përmes investimeve të huaja direkte që mund të jenë një lokomotivë e mirë për ngritjen e ekonomisë kosovare e cila është në një krizë të veçantë pas pandemisë e pas luftës që ka ndodhur midis Ukrainës dhe Rusisë”.

You may also like