Aksidenti tragjik në Greqi: 38 viktima si pasojë e përplasjes së 2 trenave

by admin
Spread the love

Një aksident i rëndë hekurudhor ndodhi mbrëmjen e së martës në Greqi. Në aksident u përfshinë një tren udhëtarësh që u përplas me një tren mallrash në dalje të Larisas dhe më pas doli nga shinat.

Kathimerini shkruan se numri i viktimave ka shkuar në 38. Ndërkohë 85 persona mbetën të plagosur. 66 të plagosur ndodhen ende në spital, 6 prej të cilëve në gjendje kritike.

Megjithatë mediat greke shkruajnë se ka frikë se numri i viktimave mund të rritet pasi shumë persona kanë mbetur të bllokuar në vagonë. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë punën për t’i nxjerrë ata.

Deri më tani nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Siç shkruan Kathimerini, ka shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me koordinimin që kanë bërë autoritetet kompetente në momentin e aksidentit. Kjo është tragjedia më e rëndë që ka goditur Greqinë sa i përket transportit hekurudhor.

Ekipet e shpëtimit që kanë punuar gjatë gjithë natës për të gjetur të mbijetuar, kanë përshkruar skena tragjike teksa po përpiqeshin të gjenin të aksidentuarit.

“Ne po nxjerrim njerëz të gjallë, të plagosur… ka të vdekur. Po jetojmë një tragjedi”, tha një punonjës vullnetar i shpëtimit.

“Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë në tërë jetën time,” i tha agjencisë së lajmeve AFP një tjetër punonjës shpëtimi.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 23:00, me orën lokale, në afërsi të Tempi. Treni po përshkonte hekurudhën Selanik-Larisa dhe ishte nisur në orën 19:22.

Akoma nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi përplasjen, por siç raportohet treni i pasagjerëve që thuhet se mbante rreth 350 pasagjerë, goditi trenin e mallrave.

Pasagjerët që i mbijetuan përplasjes kanë përshkruar momentin e aksidentit dhe mënyrën se si shpëtuan.

“Ne dëgjuam një zhurmë të madhe. Ishte një dhjetë sekonda makth. Pastaj u bë panik. Kabllo, zjarr. Zjarri ishte i menjëhershëm. Zjarri ishte djathtas dhe majtas. Për dhjetë, pesëmbëdhjetë sekonda ishte kaos”, tha njëri nga të mbijetuarit e aksidentit tragjik.

You may also like