Një arrest kardiak shkaktoi vdekjen e lojtarit të Egnatias, Dwamena, gjatë ndeshjes me Partizanin. Lajmi mori menjëherë shpërndarje të gjerë, me familjarët e lojtarit nga Gana që kanë pranuar të zhvillojnë një intervistë vetëm disa ditë pas ngjarjes. Në fakt, ka qenë televizioni “Onua TV” në Ganë që kishte siguruar një intervistë me motrën e Dwamenas. Në Maakye show, Yvonne Ama Dwamena gjen me vështirësi forcën për të thënë disa fjalë.
“Ai ishte një në një milion. Vëllai im ishte gjithçka. Ai ishte një shpirt i përulur”, dëgjohet Ama teksa thotë mes lotësh. Më pas, shtoi: Ai më tha se kishte një ndeshje të shtunën, kështu që më telefonoi sërish të enjten dhe unë i urova atij më të mirën. I thashë nënës dhe ajo i uroj më të mirat gjithashtu. Të shtunën, nëna më telefonoi dhe më tha që të shikoja lajmet në ‘Facebook’ për të konfirmuar nëse ishte e vërtet apo jo.
Me një gjendje psikologjike të rënduar, në një moment, ajo nuk ndihet mirë dhe menjëherë, stafi i televizionit ndërpret intervistën për të dërguar atë në spitalin më të afërt.