Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit ju dha tapinë shqiptarëve që të jenë dalzotës në shtëpinë e tyre. Jo Rusisë, Po Europës

by admin
Spread the love

SHKUP, 28 janar/ATSH/- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti deklaroi sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut se “Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të jenë vazhdimësi e punës progresive që kemi bërë deri më tani, gjithmonë në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të përkushtuar për reformimin e tij në frymën evropiane”.

Gjatë fjalës së mbajtur në seancën ku u votua për zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministri i parë shqiptar Maqedoninë e Veriut dhe qeverinë teknike, Ahmeti e cilësoi si ditë të madhe historike për të cilën punuan të gjithë bashkë.

“Nga sot vendi ynë ka Talat Xhaferin, si Kryeministër të parë shqiptar! Rrugëtim të gjatë e të mundimshëm kemi bërë si popull për ta fituar atë që na takon ndër shekuj, pa pretenduar asnjëherë për të huajën, andaj është plotësisht legjitim gëzimi ynë i sotëm për këtë të arritur të madhe që dikur as nuk mund të imagjinohej. Dikur në shtëpinë tonë na mohohej gjuha, arsimimi, punësimi nëpër institucione, na torturonte e shtypte pandalë sistemi i atëhershëm shtetëror, ndërsa sot po jetojmë barazinë si vlerë demokratike që e bënë këtë vend më të mirë dhe në prag të dyerve të Europës”, është shprehur Ahmeti.

Kreu i BDI-së nënvizoi se “Marrëveshja e Ohrit ju dha tapinë shqiptarëve që të jenë dalzotës në shtëpinë e tyre”.

“Nga viti 2001 e këndej kemi thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, dëshmuam potencialin tonë si popull në drejtimin e shtetit tonë në çdo pozitë institucionale dhe u treguam vendimtarë në ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit. Përcjell urimet e mia më të sinqerta deri te Talat Xhaferi, anëtarët e kabinetit të tij qeveritar dhe ju uroj punë të mbarë në sfidat që i presin gjatë kësaj periudhe të qeverisjes. Bashkë le të prijmë proceset jetike për të ardhmen tonë progresive, t’i themi JO Rusisë, PO Europës”, deklaron Ali Ahmeti.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like