AGK: Telekomi të distancohet nga gjuha kërcënuese dhe denigruese e Kelmendit (VIDEO)

by admin
Spread the love

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar sërish për akuzat dhe gjuhën denigruese që ushtruesi i detyrës së drejtorit financiar të Telekomit, Feim Kelmendi, ka përdorur ndaj gazetarëve të emisionit KIKS Kosova.

Pranvera Behluli, anëtare e bordit të AGK-së, në një intervistë për Kiksin, ka deklaruar se gjuha e tillë kërcënuese dhe denigruese, nuk i shërben medias së lirë, transmeton klankosova.tv.

Sipas saj, Kelmendi do duhej të ishte model i qasjes dhe dhënies së informacioneve dhe jo shembull i keq, pasi që Telekomi është ndërmarrje publike dhe si e tillë, ajo thotë se ata janë të detyruar të japin përgjigje për mediat.

AGK ka apeluar sërish menaxhmentin e kësaj ndërmarrjeje që të distancohen nga gjuha e Kelmendit.

“Ne edhe përmes reagimit si AGK kemi kërkuar nga bordi dhe drejtoresha që të distancohet nga gjuha e përdorur e Kelmendit. Forma se si janë etiketuar gazetarët sikur janë shërbëtorë është e papranueshme dhe e paprecedentë.”

“Ne presim që menaxhmenti aktual i Telekomit të distancohet dhe urojmë që të jetë e fundit qasje e tillë ndaj gazetarëve ngase është shqetësuese kur ne presim që transparenca të rritet ndaj mediave. Ky nuk është shembull aspak i mirë dhe presim një distancim ngase është ndërmarrje publike dhe ka për detyrë të jetë transparente”, shtoi ajo.

Behluli shprehu shqetësimin e këtij asociacioni edhe për mungesën e transparencës së institucioneve kur bëhet fjalë për kërkesa në qasje në dokumente publike.

“Ne në konferenca e diskutime e kemi shprehur shqetësimin tonë sepse transparenca e institucioneve nuk është e duhura. Marrim ankesa vazhdimisht nga gazetarët se nuk u ofrohet qasje në dokumente zyrtare”, përfundoi ajo.

 

You may also like