Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi në rrjetin social facebook ka bërë publike nëntë pikat për të cilat është dakorduar me kryeministrin Zoran Zaev, e të cilat pritet të realizohen gjatë mandatit të Qeverisë.
Më poshtë ju sjellim postimin e plotë:
Duke e respektuar vendimin e Kuvendit Qendror të Alternativës, sot e nënshkrova marrëveshjen për inkuadrim të Alternativës në pushtetin ekzekutiv.
Pas kësaj me kryeministrin Zaev patëm edhe një paraqitje para mediave, ku i elaboruam arsyet e përfshirjes së Alternativës në shumicën parlamentare.
Këtu më poshtë po i publikoj shtyllat e angazhimit tonë dhe të marrëveshjes për bashkëqeverisje.
PARIMET THEMELORE PËR AVANCIM TË PROGRAMIT TË PUNËS TË QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT
- Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mobilizojë të gjitha kapacitetet e shtetit dhe shoqërisë me qëllim hapjen e negociatave me BE-në, përfundimin me sukses të të gjithë kapitujve dhe anëtarësim të plotë në BE si qëllim strategjik, në afat kohor sa më të shkurtër.
- Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik, siç janë: Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël.
- Qeveria do të miratojë Ligj të ri për zhvillim rajonal të barabartë dhe do të punojë në mënjanimin e të gjitha pengesave që të mundësojë zhvillimin e rajonit të Likovës, në mënyrë që ky rajon të bëhet i barabartë me të gjitha rajonet e tjera në vend në aspektin e komponentëve zhvillimorë.
- Qeveria do të zhvillojë dhe zbatojë politika për promovimin e të drejtave dhe interesave të të gjithë individëve dhe komuniteteve në vend, ndërsa në veçanti do të japë mbështetje për familjen si një nga komponentët thelbësorë të jetës shoqërore.
- Qeveria do t’i analizojë ligjet dhe politikat e përgjithshme të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ato do t’i përmirësojë në drejtim të zbatimit më efikas të tyre.
- Qeveria do ta ridefinojë Ligjin për përmbarues, duke u udhëhequr para së gjithash nga kërkesat e qytetarëve, në mënyrë që ai të jetë në funksion të interesave të tyre tyre, e më pas edhe në interes të institucioneve.
- Qeveria do të inicojë procesin e ndërtimit të Strategjisë Nacionale për zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit, në të cilën do të insistohet të marrin pjesë të gjitha palët e procesit arsimor, si dhe partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet ndërkombëtare. Ndërkohë Qeveria do t’u dërgojë edhe thirrje zyrtare institucioneve ndërkombëtare për vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë në vend.
- Qeveria do të mbetet në qëndrimin për mbrojtjen ekonomike të popullatës dhe nuk do të lejojë ngritje të çmimit të energjisë elektrike më shumë se 20% gjatë vitit 2022, duke subvencionuar qytetarët dhe kompanitë dhe duke miratuar masa të tjera ekonomike.
- Qeveria do të punojë për të rritur cilësinë, efikasitetin dhe përshpejtimin e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe zbatimin e projekteve në të gjitha nivelet, përmes rritjes së nivelit të përgjegjësisë, të cilën bartësit e funksioneve publike dhe nëpunësit shtetërorë e marrin para qytetarëve.