AFGANISTAN – Talebanët refuzojnë pjesëmarrjen në takimin e OKB-së në Doha

by admin
Spread the love

ISLAMABAD, 17 shkurt /ATSH-DPA/- Autoritetet de facto të Afganistanit njoftuan sot se Kabuli nuk do të marrë pjesë në takimin e ardhshëm në Doha të udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Talebanëve tha se arsyeja e këtij vendimi ishte dështimi i OKB-së për të pranuar kushtet e tyre.

Talebanët i kanë kërkuar OKB-së të njihen “si përfaqësuesi i vetëm zyrtar i Afganistanit” dhe të hapet terreni për mbajtjen e bisedimeve të sinqerta ndërmjet delegacionit taleban dhe OKB-së për të gjitha çështjet në një nivel të lartë.

Objektivi i takimit dyditor, ku të dërguarit special të vendeve të ndryshme për Afganistanin pritet të mblidhen sot, është të diskutojnë mënyrat për t’iu qasur rritjes së angazhimit ndërkombëtar në Afganistan, sipas OKB-së.

Në takim pritet të marrin pjesë edhe gra afgane dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Grupet e të drejtave i kërkuan OKB-së të sigurojë që të drejtat e grave të jenë në fokus të diskutimeve.

Në dhjetor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë duke i kërkuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së të caktonte një të dërguar të posaçëm për Afganistanin.

Talebanët kundërshtuan emërimin e mundshëm të një të dërguari të OKB-së, duke arsyetuar se nuk kishte nevojë për një të dërguar tjetër special duke pasur parasysh praninë e misionit diplomatik të OKB-së në Kabul (UNAMA).

Që nga kthimi në pushtet, talebanët kanë refuzuar thirrjet për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe për të garantuar të drejtat e grave për arsimim dhe punë.

Si rezultat, asnjë vend nuk e ka njohur qeverinë e tyre. Rezervat bankare të vendit janë ngrirë në Perëndim dhe liderët e lartë talebanë janë në listat e të kërkuave në SHBA. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like