Abazoviç, gati për në Beograd – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka deklaruar se po vjen në Beograd me qëllimet më të mira dhe se dëshiron që marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Serbisë të ngrihen në një nivel më të lartë.

“Dëshirojmë që bashkëpunimin rajonal dhe veçanërisht bashkëpunimin mes Malit të Zi dhe Serbisë ta çojmë në një nivel më të lartë se në periudhën paraprake. Do të fillojmë me një lajm të mirë për shkëmbimin e ambasadorëve të Malit të Zi dhe Serbisë. Mendoj se shumë shpejt do të dalim me një kandidat të ri për ambasador të Malit të Zi në Beograd. Besoj gjithashtu se pala tjetër do të shprehë të njëjtin parim”, tha Abazoviç për Euroneës, përpara një vizite zyrtare në Beograd më 29 qershor, transmeton Beta.

“Në anën tjetër, kemi një situatë ku Svetozar Maroviç është ende në Serbi. Dhe kjo është një pyetje që duhet ta hapim”, tha ai.

Abazoviç shtoi se ai nuk ishte i sigurt se kryeministri i mëparshëm malazez Zdravko Krivokapiç kishte arritur të gjente një gjuhë të përbashkët me udhëheqësit nga rajoni, përfshirë Serbinë.

Kur është fjala për Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, Abazoviç tha se ajo ende nuk është nënshkruar, sepse Mali i Zi si shtet duhet të kalojë nëpër disa procedura.

“Gjithçka po shkon mirë. Tashmë kemi marrë dy vendime në qeveri për rregullimin e marrëdhënieve me bashkësitë fetare; ato do të kenë trajtim krejtësisht identik si të tjerët. Personalisht mendoj se do të gjendemi në një situatë ku do ta vendosim çështjen në akt shumë shpejt, për gëzimin e të dyja palëve dhe kjo është diçka që është vërtet e madhe”, tha kryeministri malazez. /tesheshi.com/

 

 

You may also like