AAK do t’i trajtojë në Kuvend kërkesat e sindikatave, prioritet i tyre mbetet çështja e sigurimeve shëndetësore

by admin
Spread the love

Grupi Parlamentar i AAK-së, pas takimit që
kanë mbajtur me sindikatat e sektorit publik dhe privat, kanë thënë se janë
trajtuar shumë çështje që janë brengë për disa vite për këto sindikata. Temë diskutimi
ishin sigurimet shëndetësore dhe skemat pensionale, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për medie tha se çështja e sigurimeve shëndetësore dhe për skemat pensionale do të trajtohen në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Ne kemi mbajtur sot një tryeze me përfaqësues
të të gjitha sindikatave të sektorit publik, të sektorit privat po njëkohësisht
edhe të disa ndërmarrjeve publike me të cilët kemi diskutuar dy tema; atë të
sigurimeve shëndetësore, gjendjes së rëndë të sigurimeve shëndetësore dhe
njëkohësisht edhe për një temë tjetër që do ta adresojmë edhe në Kuvend të
martën për skemat sociale në vend”, tha Tahiri.

E deputeti i kësaj partie, Shemsedin Dreshaj,
ka thënë se në këtë takim janë diskutuar shumë çështje por më e veçanta ajo për
sigurimet shëndetësore.

Për këtë, Dreshaj ka thënë se sigurimet shoqërore janë pjesë e agjendës së kësaj partie.

“U debatua gjerë e gjatë lidhur me problemin e sigurimeve shëndetësore, gjerë e gjatë lidhur me sigurimin e skemave sociale në vend. Si përmbyllje e atij diskutimi është se ligji  i sigurimeve shëndetësore duhet të nis menjëherë dhe të sillet në kuvend për miratim. Sigurimet shoqërore janë pjesë e agjendës sonë”.

“Pako bazike e shërbimeve shëndetësore e cila është iniciuar që nga viti 2001 në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ende nuk është përmbyllur, duhet urgjentisht që të përmbyllet në mënyrë që kostoja buxhetore e ligjit për sigurime shëndetësore të jetë adekuate. Patë shumë kritika po ashtu me sistemin informativ në shërbimet shëndetësore me çrast u panë shumë dështime. Lidhur me skemat pensionale po ashtu kishte vërejtje dhe ajo kryesorja ishte me nenin 8 të ligjit për pensionet kontributdhënëse”, tha Dreshaj.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kohë që e ka  në agjendën e vetë skemat pensionale dhe sigurimet shëndetësore. Në menaxhmentin paraprak dhe në kuvendin paraprak nga ana e deputetes Teuta Haxhiu është ngritur kjo çështje, është elaboruar mjaft mirë, por fatkeqësisht ka ngelur në sirtarin e qeverisë deri më sot”, tha tutje Dreshaj.

You may also like