A ka oligarkë Tirana? Kandidatët e PD-së kthehen në “memecë”

by admin
Spread the love

Primaret e Partisë Demokratike për Tiranën do të zhvillohen mes katër kandidatëve, konkretisht Ilir Alimehmetit, Belind Këlliçit, Adriana Kalajës dhe Gerti Bogdanit. 

Kandidatët janë pyetur në një emision televiziv, nëse Tirana ka oligarkë dhe cilët janë ata me emra, duke qenë se PD ka denoncuar shpesh se Rama dhe Veliaj e mbajnë pushtetin me disa oligarkë që kanë shumë para, pushtet mediatik dhe ndikojnë ligjet e politikën e vendit. 

Kandidatët u kthyen në “memecë”, duke deklaruar se oligarkët janë Veliaj dhe Rama, madje pati prej tyre që thanë se nëse zgjidhen do të marrin firma audituese që të zbulojnë edhe oligarkët me emra…

Belind Këlliçi, njëlloj si në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku nuk tha dot asnjë emër oligarku, pavarësisht insistimit të gazetarëve, edhe mbrëmjen e sotme deklaroi se oligarkët janë Rama dhe Veliaj, deklaratë e ngjashme me atë të Lulzim Bashës, i cili pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, deklaronte se oligarku i vetëm në vend është Edi Rama. 

“Kryeoligarku i Tiranës është Veliaj. Kudo në botë oligarkët janë ata që ndikojnë politikën. Pa firmën e Veliajt, nuk ka biznes që mund të ndërtojë dhe të futet në paligjshmëri. Në rastin e ligjit special Fusha, të gjithë mund të kenë atakuar ligjin special, por e shoh këtë si pasojë. Ne duhet të evidentojmë shkakun. Në këtë rast është Veliaj. Kryeoligarku është Edi Rama, që i shpërndan punët”, deklaroi Këlliçi. 

Gerti Bogdani deklaroi se emrat nuk janë të rëndësishëm, pasi nuk duhet bërë “gjueti shtrigash”. 

>

“Termi oligark, janë ata njerëz që ndryshojnë ligje për të favorizuar bizneset e tyre. Kemi ligjin Fusha, e ka brenda emrin e kompanisë. Një rast flagrant. Por, nuk është e rëndësishme emrat dhe kush janë, nuk jemi për gjueti shtrigash. Ajo që është e rëndësishme është modeli. Mund ti thuash emrin sot, i çon para drejtësisë por nëse nuk ke ndryshuar modelin, dalin të tjerë. Ke shumë pretendentë për oligarkë sot. Duhet ndryshuar modeli i qeverisjes”, u shpreh ndër të tjera Bogdani. 

Ilir Alimehmeti, doktori që gëzon reputacion dhe vlerësim të lartë nga qytetarët, deklaroi se ai do të presë auditin, që ti tregojë se kush janë oligarkët. 

“Ligjet kanë emrat e vetë, janë të votuara në parlament. Ka firma kryebashkiakësh aty brenda. Kjo e merr përgjigjen shume thjesht, ftohet auditi dhe ua nxjerr emrat nga i pari te i fundit. Kjo ka të bëjë, për të goditur pacënueshmërinë e këtyre personave që bëhen model. Ky duhet të ndërpritet me model ligjor dhe legjitim. Ky proces nxjerr emrat”, deklaroi Alimehmeti. 

Adriana Kalaja, ishte e vetmja që artikuloi dy emra ndërtuesish, por jo oligarkët që janë vërtetë pronarët e Tiranës dhe Shqipërisë, megjithatë ajo deklaroi se kullave të ndërtuara mbi vende ku ka patur objekte të trashëgimisë kulturore, do t’ju vihen minat nëse ajo fiton. 

“Në këtë pikë jam kundër të tre konkluzioneve që dolën. Erion Veliaj nuk është kryeoligarku, por drejtuesi i grupit të strukturuar kriminal të mafias që betonizon Tiranën. Nuk jam dakord kur thotë se nuk e ka fajin oligarku por kryetari i Bashkisë. Unë mendoj se janë të dy bashkëfajtorë. Nëse nuk shkon Fusha apo oligark tjetër të ofrojë para, të paguajë biletat e Arbjan Maznikut në Spanjë, atëherë nuk e konsumon vetëm Mazniku dhe Veliaj, por ligji thotë ka korrupsion aktiv dhe pasiv. Është shumë e rëndësishme të themi, se fatmirësisht kemi qenë nga të parët, Aleanca për Mbrojtjen nga Teatri, që kemi kallëzuar Shkëlqim Fushën, për mënyrën si ka legalizuar pronën dhe ka blerë projektin e Bjarke Ingels. Pronari i Arlis Ndërtim shpk, Armand Lila, shumë shpejt do të shkojë kallëzimi për të, që po ndërton te Syri i Tiranës. Nëse doni mund t’ju shtjelloj dhe t’ju japë shumë emra oligarkësh”, u shpreh ajo. 

You may also like