Ish- portieri i KF Arbëria, Andi Thaqi gjatë ditës së sotme u prezantua tek skuadra e Ulpianës, por ky ishte një nënshkrim i pazakontë, për shkak se po i njëjti u prezantua tek skuadra e Vushtrrisë dy ditë më parë, shkruan Insporti.
I kontaktuar nga Insporti, portieri Thaqi tha se me Vushtrrinë nuk ka pasur kontratë vetëm marrëveshje me fjalë, anipse këta të fundit e kanë zyrtarizuar si lojtar të tyre.
“Me Vushtrinë nuk kom pas kontrat, kemi pas marrëveshje me fjalë e cila për arsyje personale dhe me marrëveshje të dy anshme kemi vendos mos me nënshkru kontraten” – tha Thaqi për Insporti.
Mirëpo, skuadra e Vushtrrisë ende nuk e ka fshirë postimin nëpërmjet të cilit Thaqin e kanë ‘zyrtarizuar’.
Kjo nuk është hera e parë që ndodhin këto “lëshime” në transferime në Kosovë. Kujtojmë rastin e Ardit Demiri, i cili pasi u prezantua tek Llapi, u bë lojtar i klubit të Ligës së Dytë të Maqedonisë së Veriut, FC Voska Sport.
Ndryshe, 25 vjeqari nga Prishtina është zhvilluar si portier tek akademia e klubit futbollistik Besa e Pejës.
/Insporti.com