Kosova ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet

by admin
Spread the love
Daut Dauti

Nëse fati e deshi që të mos ketë “një shtet, një flamur”, do të ishte gabim i kosovocentristëve që të shkojnë në atë drejtim, që shtetit të ri shqiptar t’ia gjejnë një gjuhë zyrtare të ndryshme nga ajo e standardit!

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Ç’KA QENË…

Fillimi i së kaluarës së Kosovës mund të llogaritet në cilëndo kohë. Por, Dardaninë dhe Mesjetën, si dhe pjesën më të madhe të pesë shekujve të Perandorisë Osmane, s’kemi si i fusim në këtë temë për shtetësinë. Por, fundi i Perandorisë Osmane, ato 50-60 vjetët e përpëlitjeve të fundit, gjithsesi përbëjnë fazën kritike të copëtimit të tokave shqiptare, ku Kosova ishte gjymtyra e amputuar dhunshëm nga trungu etnik dhe e lënë në gojë të ujkut. Shpërnguljet masive, si rezultat i spastrimit etnik, filluar pas Kongresit të Berlinit, luftërave ballkanike dhe programeve të kolonizimit, si dhe planet ogurzeza për shpërngulje midis dy luftërave dhe në vitet ’50-të dhe ’60-të të shekullit të kaluar, ishin lëvizje të mëdha që lanë doemos pasoja në substancën etnike të Kosovës në përmasa tragjike për një komb të vogël. Mungesa e shtetit shqiptar në Kosovë ose mungesa e Kosovës në shtetin shqiptar e la pa mburojë dhe në mëshirën e fatit, duke nxitur vazhdimisht lëvizjet e veprimtarëve të vet për ta kthyer në gjirin e shtetit amë. Kanë qenë dëshpëruese përpjekjet e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit e të tjerëve në kohët kur edhe Shqipëria, në krijim e sipër, i kishte obligimet dhe kufizimet ndërkombëtare për t’u marrë me Kosovën, ndaj dhe fati i tyre ishte tragjik, duke mos e gjetur veten njësoj si Kosova e tyre në rrethanat e reja.

Hapësira e parë për ta gjetur veten në proceset e mëdha shoqërore e historike ishte Lufta e Dytë Botërore, ku në saje të bashkëpunimit “vëllazëror” të komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë, u duk sikur Kosova do ta fitonte të drejtën që ia kishin mohuar mbretëria Serbe dhe ajo e Jugosllavisë, ndaj njëfarë rezistence antifashiste nga Fadil Hoxha me shokë do të çonte në Konferencën e Bujanit (Bunjajt), mbajtur më 31 dhjetor 1943-2 dhjetor 1944, një muaj pasi Kuvendit të Dytë të AVNOJ-it në Jajce, ku nuk ishin ftuar përfaqësues të Kosovës, e ku qe vendosur rregullimi i ardhshëm i Jugosllavisë. Mu për këtë, në Rezolutën e Konferencës së Bunjajt ishte vendosur ideja për vetëvendosje të popullit të Kosovës, ide kjo që, për çudi, qe përkrahur edhe nga përfaqësues serbë dhe malazezë. Mirëpo, kjo e drejtë i qe mohuar me “kritikën” e mëvonshme të PKJ-së dhe Titos. Kosova e provoi vetëpërcaktimin pastaj edhe një ose dy herë, me Lidhjen e Dytë të Prizrenit gjatë vetë Luftës (janar 1944), kësaj radhe nga forcat nacionaliste dhe kolaboracioniste me okupatorët dhe me një vendim të marrë nën shtetrrethim, gjoja për t’iu bashkëngjitur vullnetshëm Serbisë, në vitin 1945, kur ishte vendosur regjimi ushtarak. Me gjithë fatin tragjik të mbetjes nën Serbi, ky “deklarim”, sipas Branko Horvatit dhe shumë autorëve të tjerë, do të jetë argumenti më i fortë për të drejtën e mohuar nga pikëpamja kushtetuese të vetëpërcaktimit deri në shkëputje që e kishin republikat, por jo krahinat. Branko Horvati shpjegonte se nëse Kosova i qenka bashkangjitur Serbisë me vullnet të lirë, në një kohë të ardhme të shpërbërjes eventuale të shtetit, mund ta shfrytëzojë si të drejtë për shkëputje. Sepse, thelbi teorik i të drejtës qëndron pikërisht aty që me aktin e parë (e drejta për t’u bashkuar me dikë, në rastin konkret me Serbinë), nënkuptohet edhe akti i dytë.

Historia e Kosovës ka dëshmuar se nuk e gjeti veten në kuadër të Serbisë, ku duhej të ndihmohej për t’u zhvilluar. Kosova, në kuadër të saj, nuk u zhvillua ashtu siç u ishte premtuar komunistëve kosovarë, sepse mbeti vendi më i pazhvilluar për 50 vjet, ndërsa në pikëpamje të të drejtave dihet se si vazhdoi historia: duhej të ndodhnin ngjarje si demonstratat e vitit 1968 për t’u riaktualizuar të drejtat e parealizuara dhe, më pas, edhe ndryshimet kushtetuese (Kushtetuta e vitit 1974) me të cilat duhej ngritur niveli i autonomisë së Kosovës në diçka që shumëkush do ta trajtonte “pothuajse republikë”. Në kujtimet e Fadil Hoxhës mund të shihet se ka pasur një debat në forumet partiake, ku është folur haptas edhe për kërkesën për republikë. Bile, kjo ka pasur përkrahjen e ndonjë udhëheqësi të lartë të përkatësisë joshqiptare. Zhvillimi i hovshëm në fushën e arsimit dhe kulturës, kur Prishtina u bë piemonti i shqiptarisë në Jugosllavinë e atëhershme, megjithatë nuk ishte i plotë pa pavarësinë nga Serbia, e cila me ardhjen e Millosheviqit e çoi procesin në drejtim të kundërt, e jo të ngritjes së autonomisë në republikë. Gjërat pastaj dihen, duke kaluar nëpër një fazë dinamike të definimit teorik e praktik të shtetësisë përmes Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, të shpalljes së Republikës së Kosovës më 7 shtator në Kuvendin e Kaçanikut, të Referendumit për Pavarësi të 24 shkurtit 1991, te epopeja e lavdishme e UÇK-së, e deri te 17 shkurti 2008, kur faktikisht u shpall shteti i pavarur.

…Ç’ËSHTË…

Ato ditë dramatike të 1999-tës, kur ekipet e gazetarëve prisnin refugjatët në pikën kufitare të Bllacës, humnerës në të cilën u gjet Kosova, dukej se asaj nuk i shihej fundi. Më kujtohej një mendim i kroatit Zvonimir Çiçak, që ma kishte thënë gjatë dy tubimeve të OJQ-ve nga ish-Jugosllavia në Veronë dhe Vjenë nga fillimet e luftërave në ish-Jugosllavi, se Millosheviqi ka një plan të “blic-krigut” për Kosovën, por vetëm kërkon shkas, që brenda një jave ta spastrojë etnikisht! Ibrahim Rugova nuk e dëgjoi Tugjmanin për ta hapur frontin e Kosovës në kohën kur digjeshin Bosnja e Kroacia dhe me këtë nuk i dha shkas Millosheviqit për intervencionizëm militar, sepse nuk e kishte popullin e përgatitur për luftë (kjo tezë mund dhe të kontestohet nga ndonjë këndvështrim tjetër). Megjithatë, Kosova e shtyri afatin, por nuk i iku luftës dhe kur kjo ndodhi, nga këndvështrimi i katastrofës humanitare, siç u quajt ndërkombëtarisht, dukej se aty ishte fundi. Pyetjet që i bënim kur e shihnim valën e madhe të dëbimit, vërtet dukej sikur Zvonimir Çiçaku kishte pasur shumë të drejtë, sepse sado e fortë të kishte qenë rezistenca e UÇK-së, që ishte shfaqur tashme dhe po e zhvillonte luftën çlirimtare, do të mbetej një përpjekje dëshpëruese. Edhe si gazetarë, edhe si shtet, edhe si njerëz, duke vizituar kampet në Stenkovec, Bojanë, Çegran…, i shihnim shikimet e pashpresa të njerëzve të mbetur pa strehë dhe pa atdhe, duke pyetur se çka do të bëhet me gjithë këta njerëz kur të vijë stina e dimrit e pastaj çka do të bëhet nëse Millosheviqi e realizon qëllimin e vet. Kjo, ndoshta, do të ndodhte po të mos ishin 78 ditë bombardime të NATO-s kundër forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe. Dhe, atë verë dramatike, në Stenkovec, “ku zbrisnin” edhe shumë figura të njohura nga bota (Roxher Mur, Vanesa Redgreev, Riçard Gir), në një fazë tjetër pas intervenimit të NATO-s erdhën për t’u dhënë shpresë njerëzve të pashpresë edhe përfaqësuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi (atëherë i shoqëruar nga Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaçi, që ishin në pushtet, ndërsa u prit edhe në Kryeministri), por kthimi i shpresës së vërtetë ishte kur një pasdite refugjatët e Kosovës i vizitoi hiç më pak, por vetë Bill Klintoni me Hilarin dhe bijën e tyre, Çelsin, i cili u premtoi shqiptarëve kthim të shpejtë në vatrat e tyre. Ashtu edhe ndodhi pa përfunduar vera dhe pa ardhur dimri tjetër.

Prej atij momenti fillon E TASHMJA e Kosovës. Një rrugë jo e lehtë, lake-lake, me shumë përpjeta e rënie të pavarësisë dhe shtetndërtimit. Së pari, kjo ndodhi me krijimin e institucioneve pothuajse paralele kundrejt UNMIK-ut, që përfaqësonte pushtetin e njëmendtë. Plus që Rezoluta 1244, që ishte në fuqi, nuk e prejudikonte statusin, por vetëm menaxhimin e vendit të dalë nga lufta, të cilit i duhej edhe konsolidimi në të gjitha fushat, por edhe pajtimi. Funksionimi si shtet ishte i përshkuar me të gjitha të mirat që i sjell si fakt i ri, por edhe me anomalitë e pushtetit si një vend tranzicioni, ndaj ndërtimi i shtetit duhej të bëhej në të dy frontet: duke ndërtuar pluralizmit demokratik dhe institucionet dhe duke kërkuar modelin për ta flakur Rezolutën 1244, e cila nuk është hequr as sot e kësaj dite. Deklarata e pavarësisë më 17 shkurt 2008 ishte një akt i madh historik, i cili nuk pati vetëm karakter simbolik për krijimin e shtetit të pavarur, por edhe rezultoi me njohje masive, megjithatë të pamjaftueshme për OKB, ku në Këshill të Sigurimit janë dy vende, si Rusia e Kina, me të drejtë vetoje, që deri tash nuk kanë treguar vullnet pro Kosovës.

Në të vërtetë, ideali shekullor për t’u shkëputur nga përqafimi serb po realizohet jo i plotë, pa bashkimin kombëtar. Shumëkush në Kosovë nuk mund ta kuptojë përse të mos jetësohet bashkimi përderisa është çliruar nga Serbia dhe pakicës serbe i janë siguruar të drejta maksimale. Kur këto dilema i ka gjithë shoqëria, na vjen ndër mend “koncepti” ideor i Kosovës së pavarur “të hapur me Shqipërinë dhe me Serbinë” nga i ndjeri Ibrahim Rugova, i cili e propagonte si një ide kompromisi, me të cilën priste përkrahje ndërkombëtare, por njëkohësisht synonte ta kënaqte edhe Serbinë. Sigurisht, Ahtisari nuk e ka pasur për bazë këtë koncept të Rugovës, por bashkësia ndërkombëtare u fut në këtë kallëp, duke i vënë kufizimet për një bashkim të natyrshëm. Përderisa është shkëputur nga Serbia, pse duhet të mbetet peng i saj?! “Pse ka rëndësi të mbahet llogari se a duhet të jetë shtet në vete apo të bëhet pjesë shtetit amë?”, pyetet shumëkush, pa e kuptuar gjuhën e kompromiseve në arenën e të fortëve të botës.

…Ç’DO TË BËHET…

Se ç’do të bëhet, enigma më e madhe është ajo afatshkurtër: dialogu me Serbinë. Përfundimi i tij, që synohet sivjet, madje ndoshta në gjysmën e parë të vitit si gjëja më optimiste, mund të jetë edhe një kapitull fatlum ose fatkeq, një kënaqësi gjysmake, si gjithë historia e pasçlirimit. Është ende e paqartë se si do të “modelohet” Asociacioni i Komunave Serbe, për çka insistojnë BE-ja dhe SHBA-ja. Si do të jetë kompromisi midis refuzimit të plotë nga ana e kryeministrit Albin Kurti gjatë dhjetë vjetëve të fundit, qëkur është bërë pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare, dhe pretendimeve serbe për t’i dhënë ingerenca autonomiste. Jam ndër ata që mendojnë se është lëshuar shansi shumë më i favorshëm i këmbimit të territoreve sipas idesë së Hashim Thaçit dhe Vuçiqit, si një mundësi e artë për ta flakur Serbinë përgjithmonë nga ndikimi në Kosovë (me Asociacionin do të jetë e pranishme përherë!), me njohje nga shteti i Serbisë dhe nga Kisha Serbe, siç ka thënë edhe akademik Rexhep Qosja shumë më herët se këta. Tash, nga mbështetja për muri, edhe e Kosovës, edhe e Serbisë, me ofertën “merre ose leje”, dëshpërimi mund të jetë shumë më i madh dhe shumë patriotë të flaktë pa vizion të dhjetë viteve të kaluara mund t’i mëshojnë kokës për shanset e humbura për të krijuar avantazhe dikur, e jo për ta lënë punën të vijë gjer këtu.

Në planin afatgjatë, shteti që do të ndërtohet do të jetë midis idealit të lëvizjeve kombëtare që synonin “një shtet, një gjuhë, një flamur” dhe realitetit kur këto tri shtylla po luhaten. Sepse, Pakoja e Ahtisarit, që vuri bazat e shtetësisë, duke i dhënë të drejtë krijimit të shtetit të Kosovës, nuk lejon jetësimin e idealit shqiptar të bashkimit. Ky bashkim do të ishte i mundur në rast se do të bëhej këmbimi i territoreve. Nuk mund të bëhet “një shtet” (Shqipëri), për shkak të balansave ndërkombëtare. Nuk ka më “një flamur”, sepse i riu që simbolizon shtetësinë e Kosovës s’ka kurrfarë lidhje ideore e simbolike me flamurin kombëtar. I tillë është bërë që të mos ketë aso lidhjeje.

Ajo që është më problematike për të ardhmen janë tendencat, gjithnjë e më të forta, që ndoshta të mos ketë më as “një gjuhë”, por të krijohet një gjuhë tjetër zyrtare shqipe! Kjo e fundit do pak elaborim, sepse deri diku bazohet në “padrejtësinë” që i është bërë dialektit të gegërishtes gjatë krijimit të standardit të gjuhës së sotme dhe është proces që ka nisur nga debate para se të pavarësohej Kosova. Por, ky debat merr “kuptim” pikërisht tash në dritën e tendencave të krijimit të “kombit kosovar”, i cili në teorinë moderne nuk nënkupton etninë (këtu ka të drejtë Nexhmedin Spahiu) dhe nuk e mohon shqiptarinë, por vetëm shënjon “pronësinë” e shtetit siç do të thoshte Nexhi, pra kombin e përbëjnë ata që jetojnë në Kosovë. Këtu përplasen konceptet e kombit të kuptuar nga rilindësit, në kohën kur shteti synohej dhe ende nuk ishte krijuar, me kombin në kuptimin teorik dhe qasjes emotive ndaj tij. E kam fjalën te keqkuptimi ose përzierja e koncepteve. Si?

Nëse rrjedh gjithçka sipas agjendës ndërkombëtare, ku qëllimi është rrumbullakimi i shtetësisë së Kosovës, por pa të drejtën e bashkimit me Shqipërinë, do të forcohet kosovocentrizmi, të cilin në mënyrë jokritike e absolutizojnë disa qarqe intelektuale e mediale (ato politike jo aq). Në këtë “kosovocentrizëm” “kombit kosovar” i jepen atribute të etnisë (keqkuptim me teorinë e Nexhmedin Spahiut) dhe, praktikisht, e legjitimojnë “të drejtën” që, duke i dhënë prerogativa etnike, t’i jepet edhe gjuha që do të ishte ndryshe nga ajo që paraqet standardi aktual!!! Tashmë ka kohë që disa intelektualë, jo që s’e dinë ta flasin gjuhën letrare, por me qëllim, kur dalin në ekran ose media tjera, flasin ose shkruajnë një gegërishte të Kosovës, ashtu siç e mendojnë ata, duke vendosur një praktikë të re “pararendëse” për një gjuhë e cila do të flitej në Kosovë në bazën e gegërishtes. Rastësisht ose jo, ka kohë që qendrat akademike ose linguistike të Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të ulen dhe t’i diskutojnë rehat çështjet e hapura gjuhësore, dilemat dhe praktikat e reja që kërkojnë standardizim dhe reformë gjuhësore. Në mungesë të këtij harmonizimi, është rreziku i madh që të forcohen edhe më shumë tendencat dhe të ndahet edhe ai element i përbashkët që i bashkon gjithë shqiptarët, pra gjuha. Duke fituar një gjuhë të re standarde, Kosova vërtet rrezikon të shkojë rrugës artificiale të krijimit jo të një kombi të ri “kosovar”, por të një populli të ri, me gjuhë të ndryshme, siç zaten ka pasur shembuj nga historia më e re në Ballkan te popujt fqinjë, të cilët me më pak dallime gjuhësore kanë përfunduar të ndarë.

Nëse balancat gjeostrategjike nuk do ta lejonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nuk do të thotë se kosovocentristët, të cilët me shumë zë thonë se nuk u dashka bashkimi sepse shqiptarët humbin një votë në organizmat ndërkombëtarë (sikur lëvizja kombëtare të ketë qenë për dy shtete e jo për një!), të krijojnë ndasi pa nevojë në trungun etnik.

Të shpresojmë që dialogu aktual Kosovë-Serbi të përfundojë në të mirë të Kosovës, me çka do t’i hapte rrugë pranimit në OKB, ndërkaq aspektet tjera pastaj të trajtohen si një proces i natyrshëm zhvillimi. /shenja

You may also like