Serbët sulmojnë dhe EULEX-in në veri – Shqip

by admin
Spread the love

Misioni i EULEX-it konfirmoi sulmin me një bombë shokuese në një patrullë zbulimi që ndodhi të shtunën në mbrëmje afër Rudarit.

Ata shtojnë se asnjë oficer i Njësisë së Specializuar të Policisë së EULEX-it nuk është lënduar, e as nuk është shkaktuar ndonjë dëm material.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj policëve të Kosovës, janë të papranueshme. I dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në veri të Kosovës, përfshirë edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare”, theksuan ata.

Ata po ashtu theksojnë se EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për të mbështetur stabilitetin e Kosovës, brenda kufijve të mandatit të tij, dhe për të kontribuar në sigurinë e popullatës së saj nga të gjitha komunitetet.

“Apelojmë tek përgjegjësit që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme provokuese dhe u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të nxjerrin para drejtësisë autorët”, kanë thënë ata.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka dënuar sulmin ndaj anëtarëve të EULEX-it pranë barrikadave në Rudar.

“SHBA-të i bashkohen EULEX-it për të dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj patrullës së EULEX-it. Sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi para sistemit të drejtësisë së Kosovës”, tha Hovenier.

Veriu i Kosovës, ende i bllokuar

Barrikadat janë vendosur dje pas arrestimit të ish-pjesëtarit të policisë së Kosovës nga Mitrovica Veriore, Dejan Pantiç, i cili dyshohet se ka sulmuar objektin e komisionit zgjedhor në atë qytet.

Policia e Kosovës njoftoi se pjesëtarët e saj janë sulmuar gjatë mbrëmjes në disa lokacione afër liqenit të Gazivodes në kufi me Serbinë.

Kurti, thirrje për heqjen e barrikadave

Kryeministri Albin Kurti, në lidhje me postblloqet e fundit në veri të Kosovës tha se barrikadat e “kriminelëve të maskuar” duhet të hiqen menjëherë.

Kurti tha se tani që as targat e as data e zgjedhjeve nuk janë më çështje, strukturat ilegale të Serbisë të kthyera në banda kriminale janë ekspozuar në etjen e tyre për zjarr dhe gjak, transmeton Anadolia.

 “Çdo mosndëshkim për këtë dhunë të orkestruar nga BE-ja dhe SHBA-ja do të inkurajojë Beogradin zyrtar që të avokojë edhe më tej për destabilizimin e Kosovës”, ka thënë Kurti. /tesheshi.com/

 

 

 

You may also like