LONDËR, 23 nëntor /ATSH-DPA/ – Gjykata e Lartë e Britanisë së Madhe ka vendosur që parlamenti skocez nuk mund të nxjerrë ligje për një referendum të dytë të pavarësisë pa pëlqimin e Westminster-it.
Çështja u soll në gjykatë pasi kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon, parashtroi planet për të mbajtur një votim të dytë për pavarësinë, më 19 tetor 2023.
Por, kryetari i Gjykatës së Lartë, Robert John Reed theksoi se “parlamenti skocez nuk ka fuqinë të nxjerrë ligje për një referendum mbi pavarësinë skoceze”.
Qeveria e BM, që është kundër një votimi të dytë për pavarësinë, tha se ”është e qartë që projektligji lidhet me një çështje të rezervuar për Westminster-in”.
Përfaqësuesi ligjor, James Eadie argumentoi gjithashtu se ”projektligji ishte në një fazë shumë të hershme që gjykata të lëshonte një vendim”./ /as/