Elon Musk zbulon prototipin e robotit humanoid Optimus

by admin
Spread the love

“Ky do të jetë një transformim thelbësor për të gjithë njerëzimin”

 

CEO i Tesla-s, Elon Musk, ka zbuluar prototipin e një roboti humanoid “Optimus”, i cili ndan disa software dhe sensorë të Inteligjencës Artificiale me funksionet e drejtimit Autopilot të makinave të Tesla-s. Në fillim të prezantimit në Ditën e Inteligjencës Artificiale 2022 të Tesla-s, Musk pranoi se ata kishin vetëm “një njeri me kostum” vitin e kaluar, por premtoi diçka shumë më mbresëlënëse për këtë ditë.

Sipas Musk, ky prototip mund të bëjë shumë më tepër se çfarë u shfaq në skenë, por ai shtoi se “hera e parë që roboti funksionoi pa asnjë mjet mbështetës ishte atë ditë në skenë”.

Musk parashikoi se ky robot mund të arrijë një çmim prej “ndoshta më pak se 20,000 dollarë” dhe, më vonë, në një sesion pyetjesh dhe përgjigjesh, ai shpjegoi se Tesla ka ekspertizë në ndërtimin e Inteligjencës Artificiale dhe të pajisjeve të nevojshme në fushën e robotikës, bazuar në përvojën e prodhimit të njësive të qarqeve për makinat elektrike.

Musk tha se kjo do ta ndihmonte kompaninë që të vërë në linjën e prodhimit robotë të aftë, si dhe për të nisur me testimin e tyre fillimisht brenda fabrikave. Ai pretendoi se ndryshimi midis dizajnit të Tesla-s dhe “shembujve të tjerë shumë mbresëlënës të robotëve humanoidë” është se Optimus i Tesla-s është krijuar për të kaluar në prodhim në masë, me “miliona” njësi. Ndërkohë që ai po thoshte këtë, një ekip punonjësish po largonin një prototip që nuk lëvizte në prapaskenë, pas tij.

Dyert e pasme të skenës u hapën fillimisht për të zbuluar një Optimus të dekonstruktuar që Tesla e quan “Bumble C”, i cili eci përpara dhe bëri disa lëvizje të thjeshta duke kërcyer. Musk pranoi se ata donin të ishin të sigurt, duke mos shfaqur në skenë shumë lëvizje që mund ta bënin robotin të rrëzohej.

Në vijim, kompania tregoi disa filmime të robotit që bënte punë të tjera, si për shembull ngritja dhe mbajtja e kutive. Më pas, ekipi i Tesla-s shfaqi një prototip tjetër që tregonte një version “shumë afër atij që do të prodhohet” të Optimus, me trupin e montuar plotësisht, por jo plotësisht funksional. Ai u vendos në një stendë dhe përshëndeti audiencën me dorë, duke demonstruar lëvizjet e kyçit dhe të dorës.

Musk pretendoi se kjo njësi, e cila më pas u hoq nga skena nga disa punonjës, përmban qarqet elektrike, paketën e baterive dhe gjithçka tjetër, por “nuk ishte plotësisht gati për të ecur”. Roboti fillestar që u shfaq ishte ndërtuar vetëm në gjashtë muajt e fundit.

Duke diskutuar për pengesat që u ishte dashur të përballeshin për ta kthyer atë nga një prototip në një dizajn funksional, Tesla shpreson që “ta përmbushë këtë qëllim brenda pak muajve… ose viteve të ardhshme”. Roboti përmban një paketë baterie prej 2.3 kWh, funksionon me karikimin SoC Tesla dhe është i lidhur me Wi-Fi dhe LTE.

Demonstrimet që ishin të fokusuara te pjesët e nyjeve të robotit, si për shembull duart, kyçet ose gjunjët e tij, treguan mënyrën se si përpunoheshin të dhënat për secilën nyje, duke kërkuar më pas zonat e përbashkëta në çdo dizajn për të gjetur një metodë ku të mund të përdoreshin vetëm gjashtë qarqe të ndryshme.

Duart e ngjashme me ato të njeriut janë një “dizajn i frymëzuar biologjikisht”, për të cilin inxhinierët thonë se do t’i bëjë duart e robotëve më të përshtatshme për të marrë objekte të formave dhe të madhësive të ndryshme, duke mbajtur edhe kutitë e mëdha e të rënda, ashtu edhe për të kapur më mirë sendet e vogla.

Softueri Autopilot i Tesla-s u mor nga makinat dhe u përpunua për të qenë funksional në trupin dhe mjedisin e ri të robotit. Pajisjet teknologjike të Tesla-s kanë regjistruar njerëzit, duke bërë punë të ndryshme nga bota reale, si për shembull ngritja e një kutie dhe, më pas, duke përdorur kinematikën inverse, bënë të mundur që këto lëvizje të përsëriteshin tek Optimus.

Më pas, modelet e përshtatjes së lëvizjeve u përdorën për të bërë të mundur që këto detyra të mos jenë aq specifike, por të mund të përshtaten për të marrë parasysh një mjedis të pastrukturuar. “Ky do të jetë një transformim thelbësor për të gjithë njerëzimin”, tha Musk, duke shtuar se Optimus ka potencialin edhe për të përmirësuar prodhimin ekonomik. / The Verge

You may also like