Qeveria miratoi vendimin për formimin e Këshillit për Avancimin e Arsimit dhe Shkencës. Këshillin do ta kryesojë kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa anëtarë do të jetë ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, zëvendëskryetarit Artan Grubi dhe Fatmir Bytiqi si dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, koordinatori i departamenteve ekonomike dhe investimeve si dhe Shërbimi Pedagogjik si organ i administratës shtetërore në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
MASH
“Përmes Këshillit do të mundësohet përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe shkencës, optimizimi në arsim, forcimi i evaluimit dhe vlerësimit në reformimin e kurrikulave me fokus më të madh në rezultatet e të nxënit, orientimin më të mirë të programeve të arsimit dhe formimit profesional ndaj nevojave të tregut të punës, si dhe programeve në arsimin e lartë për të pasqyruar nevojat e tregut të punës”.
Në aktivitetet e Këshillit do të marrin pjesë Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, Konferenca ndëruniversitare, Këshilli nacional për arsim të lartë dhe kërkim shkencor, Agjencia për cilësi në arsimin e lartë, Bordi për akreditim të arsimit të lartë, Bordi për evaluim për arsim të lartë, kuvendet studentore, Byroja e Zhvillimit të Arsimit, Qendra për Arsim dhe Aftësim Profesional, Qendra Shtetërore e Provimeve, Inspektorati Shtetëror Arsimor dhe Qendra për Arsimin e të Rriturve.
Samir Mustafa /SHENJA/