MADRID, 29 qershor /ATSH-DPA/- Pushtimi rus në Ukrainë e ka bërë të qartë se misioni i NATO-s për të mbrojtur integritetin territorial, të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar nuk është thjesht një retorikë boshe, deklaroi sot kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis gjatë fjalimit te tij në Samitin e NATO-s në Madrid, duke theksuar se sanksionet ndaj Moskës duhet të zbatohet nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
Sipas burimeve qeveritare, Mitsotakis u ndal në çështjet e përfshira në axhendën e samitit ndërsa theksoi rëndësinë e unitetit, shpejtësisë dhe vendosmërisë së Aleancës për të kundërshtuar pushtimin rus në Ukrainë.
Mitsotakis theksoi se Greqia ka qëndruar në anën e Ukrainës dhe përshëndeti ftesën e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me aleancën, duke shprehur kënaqësinë që vështirësitë janë tejkaluar. //a.i/