Në pritje të goditjeve të para në merkato, Inter konfirmon dy shtylla të rëndësishme të skuadrës. Zikaltrit kanë siguruar qëndrimin e trajnerit i Simone Inzaghit por edhe të gardianit Samir Handanovic. Tekniku italian i cili e humbi duelin e titullit përballë Milanit, por që solli dy trofe në sezonin e parë te Inter, do të rinovojë kontratën deri në vitin 2024 teksa drejtuesit e klubit kanë zgjedhur ta vlerësojnë edhe duke i rritur pagën.
Sa i përket ndërkohë portierit slloven, Handanovic do të vijojë bashkëpunimin me Inter deri në vitin 2023, ndërsa klubi i ka garantuar vendin si titullar sezonin e ri pavarësisht ardhjes së portierit Onana.
Njëkohësisht, në të njëjtën kohë që punohet për të bindur Dybalan të vishet zikaltër, Inter po mendon për zëvendësuesin e Marcelo Brozovic. Një nga pistat më të nxehta, është ajo e shqiptarit Krisjan Asllani tek Empoli, por mesfushorin kuqezi e konkurron edhe Jerdy Shouten i Bolognas.
Ky i fundit mban mbi shpatulla 3 vite në Serie A me një nivel të kënaqshëm paraqitjesh dhe kjo e bën të jetë pak më i avantazhuar në krahasim me Asllanin. Si mesfushori shqiptar i Empolit ashtu dhe ai holandez i Bolognas do ti kushtonin arkave të Interit plot 15 milionë euro. /oversport.tv