59 vjet pas Traktatit për ndalimin e Testeve Bërthamore, bota në rrezik

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

59 vjet më parë përfaqësuesit e SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe nënshkruan Traktatin e Ndalimit të Testeve Bërthamore, i cili ndalonte testimin e armëve bërthamore në hapësirën e jashtme, nën ujë ose në atmosferë. Traktati konsiderohej si hap i parë i rëndësishëm në kontrollin e armëve bërthamore.

Diskutimet mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik mbi këtë çështje filluan në mesin e viteve 1950. Zyrtarët nga të dyja vendet besonin se gara e armëve bërthamore po arrinte një nivel të rrezikshëm.

Më 5 gusht 1963, përfaqësuesit britanikë, amerikanë dhe rusë nënshkruan traktatin. Francës dhe Kinës iu kërkua që t’i bashkoheshin marrëveshjes, por ato refuzuan.

59 vjet më pas, bota po kërcënohet nga armët bërthamore. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, më 2 gusht deklaroi se bota është një hap nga lufta shkatërruese bërthamore, dhe në një rrezik që nuk është parë që nga Lufta e Ftoftë. “Njerëzimi është vetëm një hap larg asgjësimit bërthamor”, pati thënë ai në një konferencë për Traktatin e Mospërhapjes bërthamore.

Gueterres paralajmëroi se tensionet ndërkombëtare “po arrinin kulme të reja” – duke treguar në mënyrë specifike pushtimin e Ukrainës, tensionet në gadishullin korean dhe në Lindjen e Mesme si shembuj.

Qysh në fillim të pushtimit rus të Ukrainës, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, iu referua arsenalit bërthamor të vendit të tij dhe paralajmëroi fuqitë se çdo përpjekje për të ndërhyrë do të çonte në pasoja të tilla “që kurrë nuk i keni hasur në histori”.

Ditë më vonë nga 24 shkurti i pushtimit, Putini urdhëroi forcat bërthamore të Rusisë që të vihen në gatishmëri të lartë. Lufta në Ukrainë ka ngritur tensionet gjeopolitike në nivele të tilla që nuk janë parë që prej Krizës së raketave Kubane më 1962, ku politikanët nga SHBA-ja dhe Rusia kanë folur publikisht për rrezikun e një lufte të tretë botërore.

Ndërkohë, për një program të armëve bërthamore është folur edhe në Iran. Irani ka thënë se ka kapacitetet teknike për të prodhuar një bombë atomike. SHBA-ja ka thënë se është e përkushtuar që të parandalojë që Irani të bëhet një fuqi bërthamore. Aktualisht, po bëhen bisedime për ta ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore.

Një tjetër tension është ngritur diku tjetër ditëve të fundit. Ushtria e Kinës ka kryer stërvitje rreth Tajvanit me paralajmërimin se do të kryejë një seri “operacionesh ushtarake të synuara për të kundërshtuar situatën”. Stërvitjet e tilla cenojnë ujërat territoriale të Tajvanit, teksa Tajvani të premten ka vendosur sistemet raketore. Vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve e SHBA-së, Nensi Pelosi, në Tajvan të martën, u konsiderua nga Pekini si “provokim i madh politik” dhe sfidë ndaj sovranitetit të Kinës. Sfidimi i Pelosit ndaj paralajmërimeve të Kinës për të mos e vizituar ishullin mund të ketë përkeqësuar marrëdhëniet e trazuara SHBA-Kinë, megjithëse analistët kanë thënë se pala tajvaneze mund ta ndiejë peshën kryesore të presionit nga Pekini, dhe jo Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, ndryshe nga Rusia e Vladimir Putinit, kërcënimi i Kinës mbi Tajvanin – qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike e së cilës është zotuar të luftojë për të ruajtur lirinë e saj – përgjithësisht i shmanget kërcënimeve të hapura bërthamore. Pekini ka një politikë të deklaruar publikisht të “mos përdorimit të parë” (NFU), e cila merr përsipër që të mos përdorë asnjëherë e para armët bërthamore, në asnjë rrethanë. Ajo gjithashtu angazhohet të mos përdorë ose kërcënojë se do të përdorë armë bërthamore kundër shteteve që nuk kanë armë bërthamore.

Rruga Press

You may also like