35 humbje në shtëpi, Junajtidi turpëron Fergin / Vetëm tre ekipe në Europë janë mposhtur më shumë këtë sezon

by admin
Spread the love

“Old Trafford” ka qenë gjithmonë një nga stadiumet më magjike dhe më të vështira për t’u vizituar historikisht për çdo ekip. Të shkoje në Mançester, do të thoshte të pranoje një humbje pothuajse të sigurt. Sër Aleks Ferguson ishte një nga arkitektët që kontribuoi në këtë rekord. Megjithatë, që nga largimi i skocezit, “Teatri i Ëndrrave” është kthyer në një makth.

Pas humbjes, kundër Bornmuthit fundjavën e kaluar, Junajtid ka pasur 35 humbje në Premier Ligë në shtëpi që nga viti 2013, vit në të cilin Fergi doli në pension. Kjo do të thotë një humbje më shumë se në 21 sezone me legjendën skoceze në stol.

“Duhet ta nisni mirë dhe 100 për qind të përqendruar në mënyrë që të gjithë të jenë aktivë. Nuk mund të ndodhë që kundërshtarët të jenë më të uritur se ne” shpjegoi trajneri holandez pas humbjes kundër Bornmëthit në shtëpi, që theku rekordin e epokës “Ferguson”. Problemi është thelluar akoma më shumë këtë sezon në të cilin Junajtid ka humbur 7 ndeshje në të gjitha kompeticionet në shtëpi. Në stol gjatë kësaj dekade janë ulur trajnerë si Murinjo, Van Gal, Mojes, Solskjaer, Gigs, Karrik, Rangnik dhe tani Ten Hag.

Asnjë prej tyre nuk ka mundur t’u afrohet numrave të Fergusonit. “‘Old Trafford’ nuk është një vend i mirë për një rival… për sa kohë që unë të jem këtu, ne do të jemi këtu së bashku”. Kështu tha holandezi para se të luante kundër Çelsit, Bornmëthit dhe Bajernit dhe përfundoi duke humbur dy prej tyre. “Qershitë” i tronditën në kampionat dhe tre ditë më vonë Bajerni mori tre pikët që eliminuan “djajtë e kuq” nga Liga e Kampioneve.

REKORDI EUROPIAN – Në Europë këtë sezon vetëm tre skuadra kanë regjistruar më shumë humbje sesa Junajtidi. Këto shtatë humbje në shtëpi i bashkohen pesë që kanë pësuar në transfertë, duke bërë gjithsej 12 në të gjitha kompeticionet këtë sezon.

Në të gjithë kontinentin, janë vetëm tre skuadra që kanë humbur më shumë se Junajtidi dhe të gjitha janë në rënie në ligat e tyre përkatëse. Almeria (14 humbje), Bërnlej (13) dhe Union Berlin (13).

Nga 11 ndeshjet e fundit që Junajtid ka luajtur në shtëpi, ata kanë humbur 6 prej tyre midis Premier Ligës (Kristal Palas, Man. Siti dhe Bornmwth), Champions-it (Gallatasaraji dhe Bajern) dhe Kupës së Ligës (Njukasëll).

Ata kanë më shumë humbje në shtëpi sesa në transfertë në sezonin 2023- 2024. Shifra alarmante dhe jo fort inkurajuese për një skuadër që duhet të rifitojë forcën në shtëpi nëse dëshiron të kthehet në ekipin e madh që ka njohur historia.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

You may also like