30 ditë paraburgim për personin që goditi këmbësorin dhe i kaloi sipër me rrotën e pasme

by admin
Spread the love

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 01.12.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 01.01.2022, ndaj të pandehurit G.H.,  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale  rrezikimi i trafikut publik, nga neni 370 par. 8 nën par. 6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan EkonomiaOnline.

Gjykata me rastin
e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se
ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat
e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

-Më datë 01
dhjetor, në orët e mbrëmjes në Prizren duke drejtuar automjetin, nga pakujdesia
e në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Publik, ka rrezikuar
pjesëmarrësit në komunikacion dhe ka vu në rrezik jetën e njerëzve, në atë
mënyrë që  i pandehuri duke mos ja
përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe rrethanave në rrugë, i njëjti
nuk i jep përparësi kalimi këmbësorëve që ishin duke kaluar në vendkalimin për
këmbësor, ku me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit e godet të
dëmtuarin M.Gj., duke e hedhur në një distancë dhe gjatë ndaljes së automjetit
i kalon sipër të dëmtuarit me rrotën e pasme të anës së djathtë, me ç’ rast i
dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore me rrezik për jetën, me plagë të rënda
në pjesë vitale të trupit, të cilat lëndime janë të konstatuara në raportin
mjekësor

Kurse a do të argumentohen
këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e
caktimit të paraburgimit, Gjykata ka vlerësuar se me qëndrimin në liri i
pandehuri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga
organet e ndjekjes dhe përgjegjësia penale, gjithashtu duke marrë parasysh
mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, ku i
pandehuri në zonë ku janë të shënjuar vendkalimet për këmbësorë drejton veturën
me shpejtësi dhe rrezikon jetën e të dëmtuarit, arsyetojnë vendimin që ndaj të
pandehurit të caktohet masa e paraburgimit.

Nga të
lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë
fazë duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i
shërben efikasitetit të procedurës penale me qëllim të parandalimit të ikjes së
të pandehurit, zhvillimit normal të hetimeve dhe pengimin e përsëritjes të
ndonjë vepre tjetër penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

You may also like