Yjet e futbollit në sezonin e fundit të kontratës

Janë shumë të tillë, mes tyre, edhe kapiteni i Shqipërisë, Elseid Hysaj. Por po pasqyrojmë 10 më të mirët në Europë, nga porta në sulm, që janë në sezonin e fundit të kontratës dhe, nëse nuk rinovojnë, mund të largohen në qershor 2021.

MESSI – Natyrisht, ai që bie në sy është Lionel Messi. Ylli argjentinas tentoi të largohej që këtë verë, por Barcelona e ndaloi dhe ai nuk i shpalli luftë klubit që e rriti dhe e bëri të famshëm. Shumica mendojnë se Messi do të largohet në sezonin e ardhshëm, por ka një skenar që mund të qëndrojë.

Kapiteni i Barcelonës pret zgjedhjet në klub dhe, nëse Bartomeu humbet, nuk do të ishte çudi që ai të zgjaste kontratën. Natyrisht, lidhet shumë edhe me ecurinë që do të ketë ekipi deri në fund të marsit dhe marrëdhënia me trajnerin Koeman.

DI MARIA – Mesfushori i PSG-së, Di Maria, nuk beson se klubi do t’i ofrojë zgjatje kontrate kur ai të mbushë 33 vjeç. Edhe nëse PSG e bën këtë, sigurisht që rroga do të ishte më e vogël. Kështu që argjentinasi mund të zgjedhë edhe të largohet.

POGBA – Si Pogba, ashtu edhe Manchester United, për momentin, nuk kanë diskutuar rinovimin. Klubi pret edhe njëherë tjetër kthimin në formë të mesfushorit francez, ndërsa vetë lojtari kushtet e rinovimit ose një ofertë.

AGUERO – Sulmuesi argjentinas ka lënë gjurmë te Manchester City, por duket se nuk ka çfarë më për të dhënë aty, me rendimentin që sa vjen e ulet. Nuk është çudi që të largohet edhe në janar.

ALABA – U shpall kampion me Bayern Munchen, por rroga që kërkoi në vijim për të rinovuar trembi drejtuesit dhe tashmë austriaku me siguri verën e ardhshme do të braktisë ekipin që e bëri të famshëm.

OZIL – Mesfushori me origjinë turke ka mbetur “dopiogjashtë” tek Arsenal. Ai nuk luan, por është një prej futbollistëve më të paguar të Premier League. Topçinjtë kërkojnë të shpëtojnë sa më shpejt prej tij dhe as që bëhet fjalë të rinovojë.

WIJNALDUM – Në këtë rast palët mund të ulen dhe të diskutojnë për të ardhmen. Nuk është titullar fiks te Liverpool, por Klopp ka besim dhe ndoshta palët mund të bien dakord për të rinovuar.

MILIK – Situata e sulmuesit polak është përkeqësuar shumë. Napoli kërkoi ta shesë te Roma, pati edhe disa oferta të tjera, por Milik nuk pranoi dhe është përjashtuar nga grupi, madje edhe në Europa League nuk është përfshirë. Vështirë që në janar ta shohim te Napoli.

DEPAY – Ishte vetëm një hap larg transferimit te Barcelona, por duket se Lyon kërkoi më shumë se çfarë vlen holandezi. Klubi francez u bë pishman, por ndoshta në merkaton e ardhshme gjërat mund të rregullohen, por së pari, duhet të vijë rinovimi.

DONNARUMMA – Është më i riu nga të gjithë i kësaj liste. Emri i tij është përfshirë shpesh në merkato, por deri më tani Milan ia ka dalë të mbajë portierin. Po tashmë që hyn në vitin e fundit të kontratës? Vështirë të parashikohet, pasi ai ka një menaxher si Mino Raiola, që bën lëmsh gjithçka për të realizuar seknarin e tij.

Leave a Reply