1 muaj luftë, si nisi konflikti i përgjakshëm në Ukrainë dhe ku jemi sot

by admin
Spread the love

Sirena, rrënoja dhe re tymi në horizont. E paimagjinueshmja u materializua. Lufta shpërtheu dhe disa dhjetëra mijëra ushtarë rusë nisën pushtimin e Ukrainës nga veriu, lindja dhe jugu.

Brenda pak orësh ata sekuestruan impiantin e Çernobilit. Në këto kushte, presidenti Zelenski urdhëroi mobilizimin e të gjithë meshkujve mbi 18 vjeç.

Në ditët që pasuan, Perëndimi njoftoi një valë të paprecedent sanksionesh kundër Rusisë, duke e dëbuar atë nga sistemi financiar ndërkombëtar. Ndërsa presidenti Putin vendosi në gatishmëri fuqinë bërthamore.

Rezistenca ukrainase rezultoi më e fortë nga sa pritej. Zelenski refuzoi të evakuohej dhe shumëfishoi mesazhet patriotike përmes rrjeteve sociale, si dhe kërkesat e tij për ndihmë nga ndërkombëtarët.

Trupat ruse avancuan në lindje dhe në jug, ku morën nën kontroll Khersonin, qyteti i parë i madh që ra në duart e tyre. Popullsia vendase refuzoi praninë e tyre.

Dy ditë më vonë, pas luftimesh të ashpra, trupat ruse morën nën kontroll impiantin bërthamor në Zaporizhia, më i madhi në Evropë, duke alarmuar ndërkombëtarët.

Ndërkohë, mbi 1 milion njerëz, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, u larguan nga vendi, duke u strehuar kryesisht në Poloni.

Por pushtimi është ende në zhvillim dhe frustrimi i ushtrisë ruse duket nga hapësira. Pamjet satelitore tregojnë bllokimin e rrugës së autokolonës gjigante ushtarake që shkonte drejt Kievit.

Spektri i një lufte të stilit çeçen ose sirian u shfaq në horizont. Moska ndërmori bombardime masive pa marrë parasysh vdekjet e civilëve, si dhe një rrethim të pamëshirshëm të Mariupolit, në detin e Azovit.

Në qytetin në fjalë, një maternitet u bombardua, ndërsa një javë më vonë bombat shkatërruan një teatër të kthyer në strehë për qindra civilë. Përpjekjet për korridore humanitare në Mariupol dështuan dhe njerëzit nisën të varrosin viktimat në varre masive.

I kthyer në një figurë të urryer në skenën ndërkombëtare, presidenti Putin u përzje me turmën në Moskë, për 8-vjetorin e aneksimit të Krimesë.

Ndërsa ka kaluar një muaj, lufta vazhdon. Ka disa mijëra të vdekur nga të dyja palët, shumica e të cilëve janë civilë ukrainas. Numri i refugjatëve po i afrohet kuotës 4 milionë, ndërkohë që 3.5 milionë janë zhvendosur tashmë dhe dialogu për t’i dhënë fund luftës po rezulton i kotë.

Rruga Press

You may also like