ZRrE në takim me Ambasadën Amerikane, diskutohet pezullimi i tarifave të energjisë

by admin
Spread the love

Zyra e Rregullatorit për Energji sot ka mbajtur një takim me përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovës.

Në takim është folur për situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit pas pezullimit të ekzekutimit të vendimit të ZrRE për tarifat e reja të energjisë.

Zyra e Rregullatorit për Energji e ka njoftuar Ambasadën Amerikane me paqartësitë e implementimit të vendimit dhe situatën e rëndë në sektorin e energjisë, njofton ZRrE përcjell Klankosova.tv.

“ZRrE sot ka mbajtur një takim të përbashkët me përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë, të cilët, për së afërmi u njoftuan rreth zhvillimeve të fundit në sektorin e energjisë, dhe në veçanti, u diskutua rreth situatës së krijuar si pasojë e procesit gjyqësor, në të cilin proces, me një vendim për masë të përkohshme, është pezulluar ekzekutimi i vendimit të ZRrE-së për tarifat me pakicë të energjisë elektrike”.

“ZRrE i njoftoi përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për paqartësitë e implementimit si edhe për vështirësimin e mëtejmë të situatës tashmë të rënduar të sektorit të energjisë në vend. Ndër të tjera diskutime, u elaboruan edhe veprimet procedurale të ndërmarra në këtë proces nga ZRrE, e së fundmi me parashtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm juridik, krahas kërkesës për Mendim Juridik, në Gjykatën Supreme të Kosovës, si edhe me kërkesat tjera për sqarime ligjore tek organet kompetente të drejtësisë lidhur me implementimin e vendimit gjyqësor”.

“ZRrE në fund falënderoi përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ZRrE-së si dhe sektorit të energjisë në përgjithësi dhe u zotua që të bashkëpunojë me të gjithë aktorët relevantë të sektorit të energjisë, në drejtim të arritjes së një zgjidhje sa më të pranueshme për të gjitha palët”.

You may also like