Zoran Zaev, emri i ndryshimeve në Maqedoninë e Veriut

by admin
Spread the love

Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i partisë së tij pas humbjes së Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura në Maqedoninë e Veriut më 31 tetor, “do të mbahet mend si arkitekt i ndryshimeve në rrugën euroatlantike të vendit”.

Pas rreth një muaji e gjysmë, sot Kuvendi i Maqedonisë së Veriut konfirmoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev.

Pas konfirmimit të dorëheqjes, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, brenda dhjetë ditësh duhet të caktojë mandatarin e ri.

Presidenti duhet t’i japë mandatin për të formuar një qeveri partisë që do të dëshmojë se ka shumicën në parlament. Kryeministër i ri pritet të jetë Dimitar Kovaçevski, pasardhësi i Zaevit në LSDM, i cili ishte zëvendësministër i Financave në qeverinë e kaluar.

Mandatari i ri për kryeministër ka 20 ditë afat për të paraqitur në kuvend përbërjen dhe programin e ri të qeverisë.

Dorëheqja e Zoran Zaevit dhe zhvillimet më pas

Koalicioni i udhëhequr nga Zoran Zaev u mposht nga opozita VMRO-DPMNE në raundin e parë dhe të dytë të zgjedhjeve lokale në tetor.

Zaev gjatë fushatës zgjedhore kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqje nëse kandidati për kryetar të Shkupit nga LSDM, Petre Shilegov, nuk i fiton zgjedhjet. Pasi u bë e qartë se LSDM do të humbiste shumë komuna, duke përfshirë edhe kryeqytetin Shkupin, Zaev natën e 31 tetorit deklaroi dorëheqjen, por nuk e zyrtarizoi për më shumë se një muaj e gjysmë.

Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, duke kërkuar një votë mosbesimi ndaj qeverisë, mblodhi nënshkrimet e 61 ligjvënësve në parlamentin 120-anëtarësh më 11 nëntor. Seanca parlamentare e cila pritej të përfundonte me rënien e qeverisë, u shty gjatë gjithë ditës për shkak se nuk kishte kuorum për mbajtjen e saj.

Pasi deputeti Kastriot Rexhepi nga Lëvizja BESA, një nga partnerët e koalicionit të LSDM-së në qeveri, nuk u paraqit në seancën e kuvendit dhe në profilin e tij në rrjetet sociale njoftoi se nuk do të votonte për rënien e qeverisë, kryeparlamentari Talat Xhaferi e mbylli seancën në mesnatë duke thënë se opozita nuk ka arritur të sigurojë kuorum.

Të nesërmen Lëvizja BESA njoftoi se është tërhequr nga koalicioni dhe se ministrat dhe zëvendësministrat e saj kanë dhënë dorëheqje.

Zaev, i cili ende nuk e kishte zyrtarizuar dorëheqjen e tij, bënte përpjekje për partnerë të rinj të qeverisë për të forcuar shumicën në emër të partisë së tij, duke shpresuar se ata do të merrnin një datë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) në dhjetor.

Zaev në një konferencë të përbashkët për media më 5 dhjetor me Afrim Gashin, kryetarin e partisë opozitare Alternativa, tha se “kanë shumicë parlamentare dhe qeveri stabile” dhe njoftoi se Alternativa është bërë pjesë e koalicionit qeverisës.

BE-ja e shpalli vendimin e saj në mes të dhjetorit dhe për shkak të vetos së Bullgarisë nga viti 2019, Maqedonia e Veriut përsëri nuk mori një “dritë jeshile” për të filluar negociatat e anëtarësimit.

Zoran Zaev mori përgjegjësi të madhe

Procesi në të cilin kaloi Zaev para se të merrte detyrën për herë të parë, paralajmëroi se do të kishte detyra të vështira përpara.

Në vitin 2015, Zaev, i cili ishte lideri kryesor i opozitës në Maqedoninë e Veriut (atëherë Maqedonia), njoftoi se ishin regjistruar bisedat telefonike të 20.000 njerëzve, duke përfshirë kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruevski dhe anëtarë të tjerë të qeverisë. Si pasojë e protestave që pasuan, vendi vendosi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Edhe pse VMRO-DPMNE ishte partia me më së shumti deputetë të fituar (51) në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor 2016, ajo nuk arriti të formojë koalicion dhe detyra e formimit të qeverisë iu dha LSDM-së, e cila kishte 49 deputetë.

Si rezultat i mosmarrëveshjeve politike disamujore, deputetët u mblodhën në prill 2017 për të zgjedhur një kryetar të kuvendit dhe zgjodhën Talat Xhaferin. Megjithatë, protestuesit sulmuan ndërtesën e parlamentit, duke çuar në ngjarjet e njohura më vonë si “E Enjtja e Përgjakshme”.

Rreth një muaj pas ngjarjeve në kuvend, u formua koalicioni qeveritar nën udhëheqjen e kryetarit të LSDM-së, Zaev.

Ndryshimi i emrit, anëtarësimi në NATO dhe pengesa drejt BE-së

Liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë nënshkruan Marrëveshjen e Prespës në qershor të vitit 2018 pas disa muajsh negociatash të udhëhequra nga OKB-ja. Kjo zgjidhi çështjen e emrit që ekzistonte mes dy vendeve për një çerek shekulli dhe në këtë kontekst, Maqedonia e ndryshoi emrin e saj në “Maqedonia e Veriut”.

Pas këtij procesi, Greqia nuk ishte më pengesë për integrimin euratlantik të Maqedonisë së Veriut. Kështu, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s në mars 2020.

Megjithatë, Bullgaria theksoi se kushtet e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, e nënshkruar në vitin 2017, nuk janë përmbushur dhe kërkoi që të zgjidhen çështjet si gjuha, identiteti dhe historia. Me veton e saj, Bullgaria konsiderohet e vetmja pengesë për Maqedoninë e Veriut për të nisur negociatat me BE-në.

Koalicioni i LSDM-së i udhëhequr nga Zaev fitoi edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik 2020 dhe Zaev formoi qeverinë për herë të dytë.

Dorëheqja e Zaevit, i cili ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut për rreth katër vjet e gjysmë, u zyrtarizua më 23 dhjetor. Në Maqedoninë e Veriut, ku qeveria e re pritet të zgjidhet brenda një muaji, kryeministri dhe ekipi i tij do të përballen me sfida “të reja të vjetra”.

You may also like